Lidhje

Nju Jork: Shtohet trysnia për zgjidhjen e statusit të Kosovës


Këshilli i Sigurimit zhvilloi dje takime me dyer të mbyllura për Kosovën ku folën Presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Ndërkohë, kryenegociatori për statusin, Marti Ahtisari, i cili përshkroi ecurinë e arritur deri tani, u tha gazetarëve se takimet ishin me rëndësi pasi atij i është kërkuar që të bëhen përpjekje maksimale që zgjidhja e statusit të Kosovës të arrihet brenda këtij viti.

Kryenegociatori i OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari tha se ka në plan t'i vazhdojë diskutimet për çështjet teknike për sa kohë të jetë e nevojshme që ato të arrijnë rezultat.

Zoti Ahtisari tha se tani për tani nuk ka caktuar afate se kur do të paraqesë propozimin e tij për çështjen e statusit përfundimtar, sepse siç tha ai palët kanë shumë punë për të bërë.

Por Grupi i Kontaktit i mbledhur në Nju Jork të mërkurën la të kuptohet se do të nxisë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit dhe këtë do ta bëjë po qe nevoja edhe pa miratimin e Serbisë apo të shqiptarëve. Grupi i Kontaktit për Kosovën, i cili përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca, Italia dhe Gjermania shprehu mbështetje për kursin e ndjekur deri tani nga zoti Ahtisari për të arritur deri te propozimi që ai do të bëjë për statusin para Këshillit të Sigurimit.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili mbrëmë paraqiti në Këshillin e Sigurimit vizionin e vet për hapat që sipas tij duhet të ndërmerren në pjesën e mbetur të procesit për statusin, tha se fundi i vitit 2006 është një afat realist për zgjidhjen e problemit.

“Është realist sepse ka shume faktorë që e bëjnë realist. Së pari, është një realitet i mirë i krijuar në Kosovë. Bashkë me këtë realitet që është rezultat i punës së institucioneve të Kosovës dhe i qytetarëve të saj, mund të them se është edhe një investim i jashtëzakonshëm ndërkombëtar.“

Zoti Sejdiu u renditi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit një sërë argumentesh për të treguar se pala e tij ka paraqitur oferta bujare në bisedimet e Vjenës për çështjen e të drejtave të pakicave, ka treguar fleksibilitet dhe ka bashkëpunuar nga afër me ekipin e Ahtisarit.

Gjermani Joahim Ryker, administratori i ri ndërkombëtar i Kosovës, i pohoi Zërit të Amerikës se Prishtina është treguar më aktive se sa Beogradi në këtë aspekt.

“Prishtina u është afruar më tepër pozicioneve që zyra e negociatorëve ndërkombëtarë mendon se përbëjnë kompromise të arësyeshme në çështjet e negociuara, si decentralizimi, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, mbrojtja e komuniteteve dhe paketa ekonomike.”

Zoti Ryker thotë se zgjidhja e statusit përfundimtar nuk pret më sepse mungesa e statusit po shoqërohet me një kosto të lartë ekonomike.

“Nuk ka dyshim se mungesa e qartësisë së statusit përfundimtar po pengon edhe përparimin ekonomik dhe këtu më e rëndësishmja është pamundësia për të marrë kredi nga institucionet ndërkombëtare. Kostoja politike dhe ekonomike e vonesës është e konsiderueshme.”

Kryenegociatori Ahtisari pritet të kthehet në fillim të javës në Vjenë për të punuar lidhur me marrëveshjet që mund të arrihen për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit. Diplomatët presin që ish presidenti finlandez ta ketë gati paketën me propozime nga mesi i tetorit.//ii

XS
SM
MD
LG