Lidhje

Presidenti Bush në përkrahje të të moderuarve në Lindjen e Mesme

  • Skot Stërns

Presidenti Bush përsëriti mesazhin e përçuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë, thirrjen e tij për të mbështetur elementët e moderuar dhe ata reformistë në Lindjen e Mesme. Në fjalimin e përjavshëm në radio zoti Bush tha se alternativa është që e ardhmja t’u lihet në dorë terroristëve dhe ekstremistëve. Presidenti Bush tha se lufta kundër terrorizmit do të sjellë paqe në Lindjen e Mesme.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara Presidenti Bush foli për një botë më me shpresë pas terrorizmit, ku zërat e të moderuarve të fuqizohen dhe ektremistët të tkurren nga një shumicë paqësore.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, zoti Bush përsëriti këto ide, duke thënë se vendet, veçanërisht ato në botën myslimane, janë së bashku në një luftë midis të moderuarve dhe ekstremistëve.

“Në mbarë Lindjen e Mesme, bota përballet me një zgjidhje të qartë: Ne mund të lejojmë që rajoni të vazhdojë kursin që kishte para 11 shtatorit dhe brezi i ardhshëm, fëmijët tanë të përballen me një rajon të dominuar nga shtete terroriste dhe diktatorë radikalë, të armatosur me armë bërthamore; ose mund ta ndalim këtë duke konfrontuar ideologjinë e urrejtjes, duke ndihmuar njerëzit në Lindjen e Mesme të ndërtojnë një të ardhme me shpresë”, tha presidenti.

Zoti Bush tha se ai vazhdon të jetë i vendosur për një zgjidhje nëpërmjet krijimit të dy shteteve në konfliktin izraelito-palestinez. Ai lavdëroi presidentin palestinez Mahmoud Abbas si një njeri, që po punon shumë për të kundërshtuar ektremistët e dhunshëm.

“Duke mbështetur udhëheqësit e moderuar, si për shembull presidenti Abbas, Shtetet e Bashkuara ndihmojnë izraelitët dhe palestinezët të ndërtojnë një të ardhme me më shumë shpresë, dhe për të arritur paqen që të gjithë e kërkojmë në Tokën e Shenjtë.”

Zoti Bush tha se presidenti pakistanez Pervez Musharraf dhe presidenti afgan Hamid Karzai po punojnë gjithashtu për të mposhtur terrorizmin dhe ektremizmin. Presidenti Musharaf dhe presidenti Karzai kanë patur mosmarrëveshjet e tyre, duke akuzuar njëri-tjetrin se nuk kanë bërë sa duhet për të ndalur dhunën në rajonet kufitare mbi të cilat qeveritë e tyre qëndrore kanë pak kontroll.

Presidenti Bush do t’i ftojë të dy udhëheqësit së bashku në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme në përpjekje për të lehtësuar disa nga këto tensione dhe për të bashkëpunuar më mirë në luftën kundër terrorizmit. //rd//

XS
SM
MD
LG