Lidhje

Nisma Globale Klinton për zgjidhjen e problemeve të mëdha në botë


Për të dytin vit radhazi ish-Presidenti Bill Klinton po përfiton nga një shans i favorshëm në New York. Duke ftuar udhëheqës botërorë që ndodhen në qytet për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme që të bashkohen me drejtues biznesesh dhe organizata private, ish-presidenti shpreson që angazhimet që u morën këtë vit në nismën globale Klinton do të ndihmojë në intensifikimin e përpjekjeve për zgjidhjen e disa prej çështjeve më me rëndësi në botë.

Nisma globale Klinton është një përpjekje jo partiake e ish-Presidentit për të punuar për zgjidhjen e sfidave më të mëdha në mënyra të mëdha dhe të vogla. “Kjo nismë u hartua me synimin që të merret me sfidat e mëdha globale me mënyra të thjeshta dhe pjesë-pjesë me bindjen se pavarësisht nga përmasat apo qëllimi, problemet tona do t’i hapin rrugë veprimeve të bashkërenduara dhe partneritetit krijues të individëve, organizatave jo-qeveritare, bizneseve dhe qeverive”. Pasi ish-presidenti Klinton e filloi këtë nismë në vitin 2005, janë ndërmarrë mbi 300 angazhime me mbi dy miliardë dollarë.

Ditën e dytë të konferencës së këtij viti shuma e parave ishte sa trefishi i vitit të kaluar, pjesërisht edhe falë një angazhimi prej 3 miliardë dollarësh nga manjati britanik Richard Branson për të punuar për karburante që nuk dëmtojnë ambjentin. Premtimet e tjera u bënë për 2 miliardë dollarë për përpjekje të tilla si shëndeti global dhe lehtësimi i varfërisë.

Një nga këto përpjekje është një shumë prej 16 milionë dollarësh e cila u paraqit nga Zonja e Parë Laura Bush. Shuma e dhënë nga Shtetet e Bashkuara dhe dy fondacione private do të shërbejë për të siguruar ujë të pijshëm për Afrikën nën-Sahariane me një sistem që mund ta vënë fëmijët në punë. “Pompa për të luajtur janë si karuselë fëmijësh që i janë bashkangjitur një pompe uji në një rezervë uji. Kur rrotullohet rrota nxjerr ujë të pastër. Pompat e lojës vihen në punë nga një burim energjie i pakufizuar: fëmijë që luajnë”.

Disa udhëheqës të huaj përfituan nga rasti duke e përdorur forumin si tribunë për problemet e ditës. Në një diskutim të quajtur “Çështje urgjente dhe zgjidhje krijuese”, Presidenti Pakistanez Pervez Musharraf i hodhi poshtë njoftimet e medias se Talebanët po kryejnë operacione në Afganistan nga bazat në vendin e tij. “Por talebanët, komandanti dhe kontrolli i Mullah Omarit janë në provincat jugore të Afganistanit, në rajonin e Kandaharit dhe më poshtë. Mullah Omari nuk ka ardhur kurrë në Pakistan që në vitin 1995 kur filloi këtë lëvizje në Afganistan”. Presidenti Musharraf shpjegoi se të ndihmosh botën myslimane që të dalë nga varfëria do të thotë t’i ndihmosh të kuptojnë se modernizim nuk do të thotë thjesht kthim në perëndimorë. Ai bëri gjithashtu deklarata për luftën kundër terrorizmit në botë. “Nuk mund të shkojmë në luftë në Irak ose Liban apo Afganistan pa zgjidhur çështjen palestineze që është thelbi i gjithçkaje. Është në thelb të terrorizmit dhe ekstremizmit në Pakistan, Afganistan të dhe të atyre që ndodhin në Irak dhe asaj që po ndodh në Liban. Kështuqë le të zgjidhim problemin palestinez. Gjërat e tjera do të zgjidhen pastaj”.

Organizata Farat e Paqes u angazhua për të ndihmuar për çështjen palestineze. Ky grup po financon një institut prej 1.2 milionë dollarësh për negociata të avancuara dhe kualifikim për ndërmjetësim mes izraelitëve dhe palestinezëve të moshës studentore. //rd//

XS
SM
MD
LG