Lidhje

Kosova: Më shumë përgjegjësi financiare përmes sistemit bankar

  • Barry Wood
  • Prishtine

Në një ceremoni të zhvilluar ditët e fundit në Prishtinë, Kosova hodhi një hap tjetër drejt rigjallërimit të ekonomisë së shkatërruar të vendit. Autoriteti bankar dhe i pagesave u transformua në bankë qëndrore. Zyrtarët thonë se UNMIK-u po i jep më shumë përgjegjësi financiare popullit të Kosovës.

Autoriteti bankar dhe i pagesave në Kosovë u transformua të premten në një bankë qëndrore të rajonit. Ky hap i jep më shumë pavarësi dhe autoritet regullator sistemit të ri bankar në Kosovë.

Shumë njerëz në Kosovë humbën shuma të mëdha të kursimeve të tyre kur Jugosllavia e vjetër u nda në fillim të viteve 1990 dhe sistemi bankar që drejtohej nga shteti nuk ishte në gjendje të funksiononte pa ngrirë pasuritë. Qysh atëherë, Kosova ka luftuar për të rigjallëruar ekonominë përmes sistemit të saj të dobët bankar.

Zyrtarët e shohin këtë lëvizje të fundit si tepër të rëndësishme për planet e Kosovës për të formuar një sistem të tregut perendimor në vend të një ekonomie të kontrolluar nga shteti, praktikisht të shkatërruar nga lufta, të keqadministruar dhe pa besim.

Zyrtari më i lartë i Kombeve të Bashkuara për ekonominë në Kosovë, Paul Acda thotë se Misioni i OKB-së në Kosovë po i jep më shumë përgjegjësi financiare popullit të Kosovës.

“Kjo ndodh sepse një pjesë e mandatit të UNMIK-ut është forcimi dhe përmirësimi i institucioneve vendore.”

Shefi francez i bankës qëndrore në Kosovë, Paul Scechin thotë se përdorimi i euros është një faktor pozitiv për ekonominë e Kosovës.

“Politika e drejtëpërdrejtë monetare këtu kryhet nga Banka Qëndrore Evropiane, meqë jemi, si të thuash një anëtar pasiv i zonës së euros.”

Euroja i jep stabilitet Kosovës, por ekonomia e vendit të administruar nga OKB-ja vazhdon të jetë e zymtë. Ministri i Financave Haki Shatri nuk pret ndonjë rritje të ndjeshje ekonomike këtë vit. Ekonomia ra në vitin 2005. Papunësia është të paktën 40 përqind.

Zoti Shatri thotë se një vendim për statusin e Kosovës, tani në bisedime të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar, mund të sjellë qëndrueshmëri që do të lejojë rritje ekonomike nga 3 deri në 5 përqind në vitin 2007.

Kosova përballet me sfida të mëdha ekonomike. Prania e OKB-së po pakësohet dhe buxheti i saj është gati 25 përqind e buxhetit të qeverisë. Ministri i Financave Shatri shpreson që pavarësia e Kosovës do të çojë në rritje të ndihmave nga institucionet ndërkombëtare.//ii

XS
SM
MD
LG