Lidhje

Hapet për civilët ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë

  • Barry Wood

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë që ndan pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serbe, u rihap sot në mëngjes për civilët, pas bllokimit një-mujor që pasoi incidentin në kafenenë Dolce Vita në pjesën veriore ku u plagosën 9 persona.

Ura u rihap në orën 7 të mëngjesit me përforcime të reja policore dhe paqeruajtës të NATO-s. Ura ishte hapur për qarkullimin e ndërkombëtarëve disa ditë më parë, ndërsa sot në të mund të kalojnë edhe civilët. Ura kryesore mbi lumin Ibër është simbol i qytetit të ndarë të Mitrovicës. Lëvizjet e civilëve nga të dyja anët e saj është përgjithësisht i kufizuar.

Qyteti i Mitrovicës në pjesën veriore të Kosovës ka qenë prej kohësh një pikë e nxehtë e tensioneve ndërmjet popullatës shqiptare në jug të lumit Ibër dhe popullatës serbe që jeton në pjesën veriore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood njofton nga Mitrovica mbi përpjekjet për të ndërtuar një strukturë që do të pajtonte ndarjet etnike:

Tensionet etnike janë aq të thella në Mitrovicë, saqë ura që lidh pjesën veriore me atë jugore në qytet përdoret vetëm nga policia dhe makinat ushtarake. Kaskat blu të Kombeve të Bashkuara mbrojnë barrikadat, ndërsa trupat franceze qëndrojnë roje prapa telave me gjemba.

Dr. Bajram Rexhepi, ish kryetar i bashkisë së Mitrovicës dhe ish-kryeministër i Kosovës po nxit një plan për vetqeverisje që do të kishte si objektiv shqetësimet për sigurinë e serbëve të Mitrovicës:

"Serbët mendojnë se nëse krijohet një lloj komune me shumicë serbe, do të ndjeheshin më të sigurtë. Prandaj propozova një plan të thjeshtë ku ky qytet të përbëhet nga dy komuna për një periudhë tranzitore prej 3 vjetësh."

Por plani i Dr. Rexhepit nuk ka gjetur mbështetje as tek serbët dhe as tek shqiptarët.

Serbët kërkojnë më tepër se sa një periudhë tranzicioni për vetqeverisje dhe nuk duan të kenë lidhje me pjesën jugore të Mitrovicës, të populluar nga shqiptarët. Nga ana tjetër, shqiptarët duan që qyteti të mbetet i bashkuar dhe i kundërvihen krijimit të një njësie administrative serbe, duke e parë një plan të tillë si hapin e parë drejt shkëputjes së pjesës veriore me shumicë serbe.

Ish-diplomati amerikan Gerard Galluci është administratori i Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë. Ai citon fjalët e poetit amerikan Robert Frost, sipas të cilit, gardhet e forta krijojnë kushte për fqinjësi të mirë. Zoti Galluci është për idenë e vetqeverisjes në veri të Mitrovicës:

"Mendoj se do të kemi një Kosovë të përbërë nga komuna, të cilat në disa zona do të kenë një autonomi të fortë lokale. Në ato zona ku ka edhe shumicë serbe, ka të ngjarë që ata të jenë edhe më të interesuar ta shfrytëzojnë këtë autonomi. Mendoj se do të ekzistojnë gjithashtu mënyra transparente për të ruajtur lidhje të hapura me Beogradin."

Zoti Galluci hedh poshtë shqetësimin se rritja e autoritetit vetqeverisës për veriun e Mitrovicës është hapi i parë drejt ndarjes territoriale:

"Nuk do të ketë ndarje. Grupi i Kontaktit e ka theksuar një gjë të tillë. Kosova do të mbetet një e tërë, cilido qoftë statusi përfundimtar."

Grupi i Kontaktit i cili po drejton negociatat për statusin e Kosovës, ka udhëzuar kryenegociatorin e Kombeve të Bashkuara në këtë proces të paraqesë planin e tij për të ardhmen e Kosovës. Një variant i parë i këtij plani ka të ngjarë të paraqitet brenda muajit tetor dhe të përfshijë edhe formën e vetadministrimit për Mitrovicën.

Në komunën e Zveçanit, pranë Mitrovicës, mësuesja në pension Anitsa Foranic shqetësohet se Kosovës po i jepet një shtysë në rrugën drejt pavarësisë, një zgjidhje që serbët e Kosovës e kundërshtojnë:

"Ajo thotë se shqiptarët dhe serbët duhet të mbeten miq, siç ishin para fushatës së Natos në vitin 1999. Serbët, thotë ajo, nuk mund ta pranojnë kurrë pavarësinë e Kosovës."

Dr. Rexhepi pohon se do të duhet kohë për të krijuar besim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë. Ai e ka të qartë se serbët pëlqejnë ndarjen territoriale. Por edhe nëse kjo alternativë do të ishte e mundshme, ai thotë se nuk do t’u ofronte serbëve të Kosovës një zgjidhje pozitive:

"Një e treta e serbëve që jetojnë në Kosovë janë në pjesën veriore. Por 2 të tretat e tyre janë në pjesë të tjera të Kosovës. Në këtë rast, nëse pranojmë ndarjen, cili do të jetë fati i këtyre serbëve?"

Ka të ngjarë që para përfundimit të këtij viti Kosova të jetë futur në rrugën e pavarësisë. Negociatori ndërkombëtar Martii Ahtisaari ka thënë se çfarëdo vendimi që merr ai, duhet të ketë garanci për sigurinë e serbëve të Kosovës, pakica më e madhe etnike e saj. //ii

XS
SM
MD
LG