Lidhje

Përurohet në Miçigan përmendorja e Skënderbeut

  • Nga Lulushi

Shqiptarët e Amerikës, veçanërisht ata të Miçiganit, kanë tashmë dy figura botërore me të cilat krenohen para amerikanëve të tjerë: Nënë Terezën dhe Gjergj Kastriot -Skenderbeun, përmendorja e të cilit u përurua dje në prani të disa mijëra vetëve, përfshi kryepeshkopin e Detroit, Kardinalin Adam Maida dhe presidentin e Shqipërise, Alfred Moisiu.

Përmendorja e Skënderbeut u zbulua dje me nderime në anë të një autostrade dhe në hyrje të oborrit të Kishës katolike shqiptare Shën Pali në Roçester Hills, rreth 40 kilometra ne veri te Detroitit. Presidenti Alfred Moisiu tha se me këtë vepër, shqiptarët e Amerikës kanë nderuar veten dhe mbare popullin shqiptar.

"Tashmë populli i thjeshtë amerikan mund të mësoje edhe më shumë se kush ishte Skënderbeu dhe çfare bëri ai për kombin dhe botën mbarë."- tha ai.

Kardinali Adam Maida tha se shqiptarët në rrethin e Detroitit janë krenaria e dioqezes së tij. Vendosja e përmendores së Skënderbeut, tha ai, ka edhe vlera edukative dhe njohëse, dhe solli si shembull veten e tij, kur tha se për Skënderbeun nuk dinte shumë, por tani që monumenti i këtij heroi ze vend në oborrin e një kishe të dioqezës, atij iu zgjua kureshtja prandaj do të përpiqet ta njohë më mirë këtë hero.

"Tani,- tha kardinali, - krahas nënë Terezës, shqiptarët e Miçiganit mund të krenohen para amerikanëve edhe me Gjergj Kastrotin."

Nismëtar i kësaj ngjarjeje është Dom Anton Kqira, Kryefamullitar i kishës së Shën Palit, që mendohet të jetë kisha më e madhe katolike shqiptare në botë. Përmendorja e heroit kombëtar shqiptar është fryt i një pune mbi një vjeçare nga ana e skulptorit të njohur shqiptaro-amerikan, Kreshnik Xhiku.

Ngritja e këtij monumenti është krenari për të gjithë shqiptarët, thotë afaristi dhe veprimtari i njohur Ekrem Bardha, dhe shton se kjo nismë tashme mund të çohet më tej, duke ndërhyrë pranë politikanëve e ligjvënësve në nivel federal e shtetëror për ngritjen e monumenteve të tilla në sheshet e qyteteve të mëdha amerikane.

Ndërkohë, disa mendojnë se duke qënë krenari për të gjithë, një përmendore e tillë mund të ndikojë edhe për një afrim apo bashkim të të gjitha komuniteteve shqiptare në Amerikë, pa dallim feje, krahine apo ideje.

XS
SM
MD
LG