Lidhje

Publikimi i dokumenteve sekrete ndez debatin për lidhjen midis Irakut dhe luftës kundër terrorizmit


Administrata e Presidentit Bush bëri publike pjesë të një raporti sekret të qeverisë që ka të bëjë me vlerësimin e luftës kundër terrorizmit. Në raport thuhet se konflikti në Irak është bërë kauzë dhe mjet rekrutimi për terroristët.

Dokumenti i ka intensifikuar debatet tashmë të ndezura në Washington për lidhjen midis Irakut dhe luftës kundër terrorizmit. Pjesë të paautorizuara të raportit dolën të djelën në gazetat më të mëdha amerikane. Presidenti tha se ato ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe në një vendim të pazakontë dha urdhër dje qe disa pjesë të tij të bëhen publike. “Disa njerëz e kanë keqkuptuar raportin dhe dalin në përfundim se lufta në Irak është e gabuar. Unë fuqimisht jam kundër këtij mendimi”, tha presidenti.

Raporti - i pari i këtij lloji që nga fillimi i luftës në Irak në vitin 2003, është një përmbledhje e informacioneve dhe analizave nga të 16 agjencitë amerikane të zbulimit. Aty thuhet se trazirat në Irak po krijojnë një brez të ri terroristësh.

Duke folur në një konferencë shtypi me presidentin afgan Hamid Karzai, presidenti Bush kritikoi ata që u dhanë gazetarëve pjesë të paautorizuara të raportit. Presidenti tha se pjesët u publikuan vetëm disa javë para zgjedhjeve të nëntorit, të cilat do të vendosin se cila parti politike do të kontrollojë kongresin amerikan. "Përsëri dalin informacione sekrete të qeverisë, e pikërisht në këto kohë fushate, për të krijuar konfuzion në mendjen e popullit amerikan. Kjo është arsyeja që e nxorrën këtë dokument sekret. Urdhërova drejtorin e Zbulimit Kombëtar të bëjë publik dokumentin. Mund ta lexoni vetë. Ne do të ndalim të gjithë këtë spekullim, të gjithë politikat e përdorura", tha presidenti.

Presidenti ka thënë për një kohë të gjatë se lufta në Irak i ka bërë Shtetet e Bashkuara më të sigurta. Por kritikët e politikës së tij në Irak pohojnë se vlerësimi kombëtar i Zbulimit jep prova se lufta në Irak e ka shtuar kërcënimin e terrorizmit.

Në Kongres, ndërkohë, senatorja Hillary Clinton, anëtare e komisionit për forcat e armatosura tha se politika e presidentit për luftën në Irak është e gabuar. “Lajmet e kësaj jave lidhur me raportin e zbulimit kombëtar që analizon ndikimin e Irakut në luftën globale kundër terrorizmit shton më shumë urgjencën për të ndryshuar kursin në Irak. Në këtë pikë është mirë të pranojmë se jemi në kursin e gabuar dhe të gjejmë rrugën që duhet të marrim. Duhet ta shtrojmë debatin në kongres dhe në mbarë vendin.” Pak më vonë, demokratët i bënë thirrje Dhomës së Përfaqësuesve për një takim të jashtëzakonshëm me dyer të mbylluara për të shqyrtuar vlerësimin kombëtar të Zbulimit. Kërkesa e tyre u hodh poshtë me vota thuajse të ndara sipas vijave partiake. //rd//

XS
SM
MD
LG