Lidhje

Sekretari Ramsfeld nuk shprehet për afat të qartë për anëtarësimin e Shqipërisë në Nato


Ndër të gjithë pjesmarrësit në takimin e sotëm ku u përfaqësuan 14 shtete, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia janë ato që presin një anëtarësim të afërt në Nato. Të bashkuara në Kartën e Adriatikut ato shpresojnë të marrin një ftesë të qartë në samitin e parë zgjerues të Aleancës. Këtë e theksoi edhe kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij përshëndetëse kur u shpreh se Shqipëria është plotësisht e angazhuar të bëjë çdo përpjekje, të ndërmarrë çdo reformë e të paguajë çdo cmim për të merituara këtë ftesë.

Por Sekretari amerikan i Mbrojtjes nuk u shpreh për ndonjë afat të qartë për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut. Sipas tij, askush nuk mund të jepte një përgjigje për këtë "sepse është ndërveprimi mes vendeve që aspirojnë të futen në Nato dhe vendeve anëtare si dhe vlerësimi për përparimin që këto vende po bëjnë përballë standarteve të reformave që janë të përshtatshme për anëtarët e Natos. Sa për mua unë me kënaqësi pres që një numër vendesh të futen në Nato në periudhën që kemi përpara" – tha zoti Rumsfeld.

Gjatë punimeve të sotme të takimit është folur dhe për çështjen e Kosovës. Sekretari amerikan Ramsfeld i pyetur për qëndrimin ndaj statusit të ardhshëm të saj u kufizua të deklaronte se ndante të njëjtin mendim të shprehur nga Ministri shqiptar Fatmir Mediu i cili saktësoi se e ardhmja e Kosovës duhet të bazohet në respektimin e të drejtave të të gjithë grupeve etnike dhe popullit të Kosovës. Ai la të kuptohet qartë se pavarësia është opsioni i vetëm kur saktësoi se megjithatë pavarësia nuk mund të funksionojë pa respektuar të gjitha grupet etnike atje.

Gjatë takimit të sotëm të Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve të Europës Juglindore katër shtete të reja Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi dhe Serbia u pranuan me statusin e vëzhguesit. Kjo nismë e ngritur që prej 10 vjetësh synon të forcojë bashkëpunimin dhe të rrisë parametrat e sigurisë në rajonin e Europës Jglindore.

XS
SM
MD
LG