Lidhje

Rikthehen protestat e opozitës në parlamentin shqiptar


Në Shqipëri, në parlament janë rikthyer protestat e opozitës. Sot në sallë pati një debat mjaft të ashpër pas votimit të shumicës së djathtë në pushtet që rrëzoi kërkesën e deputetëve të majtë për ngritjen e një komisioni hetimor për pasuritë e kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij.

Votave të së djathtës nuk iu bashkuan ato të disa prej aleatëve të saj, demokristianët dhe deputetët e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut të cilët ose votuan kundër ose abstenuan pasi e konsideruan qëndrimin e kolegëve të tyre si një shkelje të kushtetutës.

Në të vërtetë ligji parashikon se kur 35 deputetët paraqesin kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor atëherë ai ngrihet automatikisht. Por përfaqësuesit e Partisë Demokratike thanë se kërkesa e opozitës i mbivendosej komisionit tjetër hetimor të ngritur prej tyre për hetimin e pasurive të të gjithë zyrtarëve të lartë shtetëror që nga viti 1992, një komision në të cilin opozita refuzon të marrë pjesë.

Debati për pasuritë e kryeministrit ka lindur që prej disa javësh kur u bë publik deklarimi i pronave në zotërim të vajzës së tij e cila rezulton të ketë pasuri të patundshme për një vlerë prej afër 800 mijë dollarësh. E bija e kryeministrit ka deklaruar se i ka siguruar ato falë të ardhurave që ajo dhe bashkëshorti i saj kanë siguruar nga puna në administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe falë kredive të marra në banka.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha sot se opozita nuk do të ndalet pa realizuar të drejtën e saj për të hetuar kryeministrin, pasuritë e tij dhe emërimet e familjarëve të vet në poste publike duke paralajmëruar publikimin e dokumentave të tjerë që sipas tij vertëtojnë akuzat e e të majtëve.

XS
SM
MD
LG