Lidhje

Shqipëri: Reforma elektorale sjell përsëri debate pozitë-opozitë


Reforma elektorale duket të jetë kthyer në një fushë të minuar. Çdo hap i vogël që hidhet përpara kthehet papritur në bllokimin e radhës dhe menjëherë të dy palët nxitojnë të akuzojnë njëra tjetrën për përgjegjësinë e situatës së krijuar.

Këtë herë shkak janë bërë partitë e vogla. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe demokristianët të cilët do të kenë nga një anëtar në KQZ-në e ardhshme kërkojnë që ky ndryshim të kalojë në paketë në seancë se bashku me cështjen e listave. Një kërkesë që duket qartë se ka të bëjë me mosbesimin e theksuar se zbatimi i marrëveshjes së arritur mund të zvarritet në kohë. Bashkëkryetari Socialist i Komisionit të Reformës, socialisti Ben Blushi e quan të përligjur qëndrimin e këtyre partive: "Ka një vonesë në këtë drejtim, të qëllimshm, për të mos ballancuar KQZ. Ky ishte një kusht i marrëveshjes së nënshkruar dhe nëse kalon çështja e listave dhe KQZ e institucionet e mediave nuk zhbllokohen sidoqoftë zgjedhjet mbeten të cënuara", tha zoti Blushi.

Por për demokratët e gjitha kjo është një lëvizje vetëm e opozitës, ndonëse në autorët e kërkesës është dhe një aleat i tyre. Sipas bashkëkryetarit Bujar Nishani argumentat për të kaluar në bllok amendimet për listat dhe atë për KQZ janë të një karakteri të papërgjegjshëm: "Ndryshimi në KQzx më së pari kërkon ndryshimin kushtetues që duhet të realizohet në bazë të një procedure nga komisioni i ligjeve dhe tre të pestat e parlamentit dhe vetëm në këtë moment komisioni mund të bëjë amendamentin për kodin. Ka qenë një vendim i komisionit të reformës që amendamenti i parë të ishte ai për listat se ky ka qenë problemi më emergjent dhe procedura kërkon një kohë të nevojshme".

Marrëveshja pozitë opozitë u nënshkrua këtu e një muaj më parë. Ndërsa komisioni i reformës u bllokua nga debatet për listat, nuk dihet pse në komisionin e ligjeve nuk janë mbyllur procedurat për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. //rd//

XS
SM
MD
LG