Lidhje

Solana: Përparim në bisedimet me Iranin por ende pa marrëveshje


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, thotë se është bërë përparim, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje në bisedimet për çështjen bërthamore të Iranit.

Zoti Solana foli sot në Berlin, pas dy ditë diskutimesh me negociatorin iranian për çështjen bërthamore, Ali Larixhani. Diplomati evropian tha se të dyja palëve u mbetet të zgjidhin disa çështje, por ai shtoi se shpreson të jetë përsëri në kontakt me Iranin, brenda disa ditësh.

Zoti Larixhani, gjithashtu, i cilësoi bisedimet “konstruktive” dhe tha se janë arritur “disa përfundime pozitive”. Por as zoti Solana dhe as zoti Larixhani nuk dhanë hollësi. Në qytetin Karaj të Iranit, Presidenti Mahmud Ahmadinexhad i hodhi përsëri poshtë kërkesat për pezullimin e procesit të pasurimit të uraniumit. Ai tha se Irani nuk do ta ndalë për asnjë ditë procesin e pasurimit.

Dje, Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleeza Rice, tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën e BE-së por ajo shtoi se bisedimet nuk mund të zgjasin “edhe për shumë kohë”.

XS
SM
MD
LG