Lidhje

Diskutim mbi zhvillimet në Kosovë në Klubin Republikan të Kapitolit


Statusi përfundimtar i Kosovës u bë dje temë diskutimesh të nxehta në Klubin Repiblikan të Kapitolit, një organizatë me pikëpamje konservatore këtu në Uashington. Pjesëmarrësit, mes të cilëve shumë veprimtarë të komunitetit serb në Uashington u përpoqën të theksojnë se një Kosovë e pavarur do të destabilizonte rajonin dhe do të nxiste prirjet radikale separatiste edhe gjetkë.

Konferenca e titulluar “Rishqyrtimi i Kosovës” ishte një përpjekje e lobit serb në Uashington për t’u bërë thirrje ligjvënësve dhe politikanëve amerikanë të rishikojnë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës duke paralajmëruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës do të kishte pasoja katastrofale për pakicën serbe atje dhe destabilizuese për mbarë rajonin.

Peshkopi serb Artemije paralajmëroi se asnjë garanci nuk do t’u ofronte siguri reale serbëve në një Kosovë të pavarur: "Shpresoj se Shtetet e Bashkuara do të rishqyrtojnë politikën e tyre ndaj Kosovës. Për një kohë tepër të gjatë Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur përparimin e Kosovës drejt pavarësisë, pa kuptuar ndoshta se një gjë e tillë do të dënonte me shfarosje popullin tim, dhe për më tepër pavarësia e Kosovës do të çonte në krijimin e një shteti të ri të papërgjegjshëm në Evropë," tha Peshkopi Artemije.

Në disktutim ishte i ftuar dhe ligjvënësi republikan nga Arizona, Trent Franks. Ligjvënësi Franks, i cili njihet për pikëpamjet e tij konservatore dhe për angazhimin e tij në të drejtën e lirisë së besimit, u bëri jehonë komenteve të Kryepeshkopit Artemije dhe uroi që procesi i statusit të anojë në të ardhmen në interes të Serbisë: "Shumë nga ne në Kongres jemi shumë të pakënaqur me drejtimin që i kanë dhënë Kombet e Bashkuara procesit dhe i trembemi mundësisë se nëse nuk respektohet vullneti serb, kjo do të shndërrohet në një sinjal të fuqishëm në botë edhe për ekstremizmin islamik. Mendoj se Sekretarja e Shtetit Rajs dhe Presidenti i kuptojnë vështirësitë me të cilat ndeshet Serbia dhe shpresoj se do të shohim një ndryshim në drejtimin e procesit dhe do të ketë më së fundi paqe dhe siguri për popullin serb," tha ligjvënësi Franks.

Doug Bandow, analist politik, ish-këshilltar i posaçëm i Presidentit Reagan, theksoi në fjalën e tij se në Kosovë vërehen një numër problemesh që vetëm do të thellohen nëse shpallet pavarësia. "Më shqetësojnë së tepërmi provat që kemi që deri tani në Kosovë nuk ka institucione të suksesshme shtetërore: nuk kemi shtetin ligjor, ndërkohë që vazhdojnë krimet dhe një numër problemesh të tjera. Krijimi i një shteti të pavarur, do t’i imunizonte dhe acaronte problemet. Nëse një njësi administrative nën kontrollin e Perëndimit nuk është në gjendje të vërë nën kontroll problemet, si mund të zhduken këto probleme pasi të tërhiqet Perëndimi nga administrimi i Kosovës."

Një tjetër temë e nxehtë në debatin e djeshëm ishte procesi i negociatave që pjesëmarrësit e cilësuan si një farsë, pasi, siç thanë ata, ka injoruar plotësisht qëndrimin e Beogradit dhe i përngjet më së shumti një zgjidhjeje të imponuar pro shqiptarëve.

Analisti John Hulsman theksoi se një vendim që nuk do të merrte parasysh qëndrimin serb, do të ishte një zgjidhje e paqëndrueshme: "Rreziku i shmangies së negociatave të mirëfillta, siç ka vepruar deri tani administrata e Presidentit Bush, është se ai e zhvendos problemin për më vonë. Këto bisedime nuk çojnë në zgjidhje afat-gjata. Prandaj edhe i tërë procesi është një humbje kohe," tha analisti Hulsman.

Pjesëmarrësit në diskutim paralajmëruan për rrezikun që ka shpallja e Kosovës si shtet i pavarur pasi do të shërbente, siç u shprehën ata, si një pararendës i rrezikshëm që lëvizjet etnike me dhunë janë një rrugë e frytshme për arritjen e objektivave politike. Në diskutim nuk u paraqit ndonjë mendim tjetër alternativ dhe asnjë prej pjesëmarrësve nuk parashtroi një zgjidhje. Debatet u ndalën vetëm tek kritikat e ashpra për këdo e gjithshka.

Më 20 shtator, në takimin e tij për Kosovën, Grupi i Kontaktit mbështeti plotësisht misionin e zotit Ahtisari dhe vuri në dukje se zgjidhja për Kosovën duhet të jetë realiste, të sigurojë stabilitet rajonal, të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës dhe të ruajë karakterin shumetnik të Kosovës.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Daniel Fried, i cili sapo i dha fund një vizite në Kosovë, tha se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të arrihet deri në fund të vitit. //ad//

XS
SM
MD
LG