Lidhje

Presidenti Bush në luftë me kritikët e tij demokratë për politikat në Irak


Presidenti Bush po mbron fuqimisht politikat e tij në Irak, ndërsa vazhdojnë efektet e një raporti të zbulimit amerikan ku thuhet se pjesërisht lufta e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po krijon një gjeneratë të re terroristësh. Presidenti po përballet me kritika të ashpra nga demokratët vetëm pesë javë para zgjedhjeve për në kongres, në të cilat kontrolli i partisë republikane në kongres mund të vihet në rrezik.

Presidenti Bush po vazhdon sulmet ndaj kritikëve të tij për luftën në Irak. Ai përdori fjalimin e tij të përjavshëm në radio për t’iu kundërvënë demokratëve, të cilët e akuzojnë se nuk ka një strategji të qartë për stabilizimin e vendit të shkatërruar nga lufta, dhe për kthimin e trupave amerikane në vend.

Presidenti Bush tha se urdhëroi publikimin e disa pjesëve të raportit të zbulimit, në mënyrë që amerikanët ta lexojnë dhe të nxjerrin përfundimet e tyre. Ai tha se raporti konfirmon se Shtetet e Bashkuara përballen me një armik të vendosur dhe të aftë, të cilin Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë ta luftojnë. " Terroristët janë në luftë kundër nesh, sepse ata urrejnë të gjitha vlerat tona, pasi e dinë se u presim rrugën ambicjeve të tyre për të marrë në kontroll Lindjen e Mesme. Ne po luftojmë t’i ndalim ata të marrin Irakun dhe ta kthejnë atë vend në strehë që do të jetë edhe më i vlefshëm sesa ai që humbën në Afganistan".

Presidenti ritheksoi vendosmërinë e tij për të mbajtur trupat në Irak, duke argumentuar se një tërheqje e shpejtë do të forconte terroristët. "Kjo do ti ndihmonte ata të rekrutonin njerëz të tjerë për të kryer sulme edhe më shkatërrimtare në vendin tonë, dhe do tu jepte terroristëve një strehë në zemër të Lindjes së Mesme, me rezerva të mëdha nafte për të financuar ambiciet e tyre. Amerika nuk duhet të lejojë që kjo të ndodhë", tha presidenti.

Por demokratët e opozitës thonë se presidenti nuk ka një strategji të qartë për të siguruar Irakun dhe e kritikuan përshkrimin që u bëri demokratëve në fillim të javës si “parti që i lë punët përgjysëm”.

Ish komandantja ushtarake Tammy Duckworth e cili humbi të dyja këmbët në një aksident me helikopter në Irak, kritioi presidentin Bush për këtë përshkrim."Unë nuk i lashë punët pa mbaruar, zoti president. Si shumë të tjerë, jam krenare të them se luftova dhe sakrifikova".

Zonja Duckworth e cila është në garën për në kongres nga shteti i Illinois, kritikoi gjithashtu kongresin e udhëhequr nga republikanët që nuk e kanë mbajtur përgjegjës administratën e presidentit Bush për politikën në Irak. "Kemi nevojë për një kongres që të bëjë pyetje të vështira dhe të punojë i bashkuar për zgjidhje dhe jo të sulmojnë patriotizmin e atyre që nuk janë dakort me ta". Ajo thotë se ka ardhur koha për udhëheqësit irakianë që të marrin kontrollin e vendit të tyre dhe të gjejnë zgjidhje për të ndalur dhunën dhe për të stabilizuar vendin. //rd//

XS
SM
MD
LG