Lidhje

SHBA: Libri i ri akuzon administratën për gabime të rënda në Irak

  • Michael Bowman
  • Uashington

Një nga gazetarët më të njohur të Amerikës, Bob Woodward, thotë se administrata e Presidentit Bush ka bërë gabime tragjike në luftën në Irak dhe vazhdon të mbyllë sytë përballë realitetit të zymtë të keqësimit të gjendjes në terren. Ai ishte i ftuar mbrëmë në programin “60 minutes” të rrjetit televiziv CBS, pas botimit të librit të tij të ri me titull “State of Denial” që në shqip mund të përkthehet “Mohim i realitetit”. Kjo është pjesa e tretë e një serie librash të shkruara nga Woodward dhe që mbajnë titullin “Bushi në luftë”. Zyrtarët e administratës po i mohojnë me forcë disa nga argumentet që parashtrohen në libër.

Rrallë herë qëllon që një libër të shkaktojë kaq shumë reagime në nivelet më të larta të qeverisë amerikane. Por e vërteta është se botimi i librit të gazetarit Bob Woodward ka provokuar një zinxhir veprimesh të Shtëpisë së Bardhë, që nga deklaratat për shtyp me terma të ashpra e deri tek intervistat televizive të zyrtarëve të lartë për të hedhur poshtë argumentet kryesore që parashtrohen në libër.

Në intervistën që dha mbrëmë në programin “60 minutes” të rrjetit televiziv CBS, zoti Woodward tha se trupat amerikane dhe aleatët e tyre në Irak po sulmohen mesatarisht çdo 15 minuta. Në librin e tij ai shkruan gjithashtu se Henry Kissinger po shërben si këshilltar i Presidenti Bush dhe nënpresidentit Dick Cheney, dhe u thotë atyre se “fitorja është e vetmja strategji për t’u larguar nga Iraku”.

Bob Woodward përshkruan një administratë të përfshirë nga konfliktet, dhe ndonjëherë edhe mes Sekretares së Shtetit, Condoleezza Rice dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Ky konflikt ka qënë aq i fortë hera herës, saqë zoti Rumsfeld nuk i ka kthyer telefonatat zonjës Rice, thotë zoti Woodward.

Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tony Snow, e hodhi poshtë këtë ide të premten dhe citoi komentet e Sekretares së Shtetit kur atë e informuar për përmbajtjen e librit.

“Rumsfeld është një njeri që flet krejt hapur. Dhe çfardo mosmarrëveshjesh që të kenë, ata ia thonë drejt për drejt njeri tjetrit me ndershmëri dhe respekt. Siç u shpreh ajo, këto aludime janë qesharake”.

Në librin e tij, Bob Eoodward përshkruan një administratë që nuk e ka të qartë se cilat janë objektivat e saj kryesorë në Irak, sepse sipas tij, disa zyrtarë deklarojnë publikisht që strategjia amerikane është spastrimi i rajoneve ku veprojnë kryengritësit dhe ndërtimi i institucioneve demokratike të qendrueshme kurse disa të tjerë mendojnë se hapa të tilla duhet të ndërmerren nga vetë irakianët.

Edhe Senatori demokrat nga shteti Michigan, Carl Levine, është i mendimit se administrata nuk do ta pranojë realitetin.

“Presidenti Bush nuk do t’i shikojë faktet. Ai nuk do ta shikojë në sy realitetin. Për të ndryshuar kursin dhe dinamikën e zhvillimeve në Irak, ne duhet t’i japim fund mohimit të realitetit. Presidenti dhe administrata e tij duhet ta njohin atë”.

Woodward aludon gjithashtu se disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë orkestruar një fushatë për shkarkimin e Sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, por ka qenë Presidenti Bush dhe Nënpresidenti Dick Cheney që e kanë mbajtuar atë në këtë post.

Woodward thotë se studimi i fakteve për të shkruar librin i ka kushtuar dy vjet kohë dhe se për këtë qëllim ka intervistuar më shumë se 200 zyrtarë të mëparshëm dhe të tanishëm të administratës Bush si dhe njerëz të tjerë që kanë lidhje me Shtëpinë e Bardhë. Ai ka intervistuar edhe vetë presidentin Bush për dy librat e mëparshëm të kësaj serie, por për librin e tretë, Presidenti Bush nuk pranoi të intervistohej.

XS
SM
MD
LG