Lidhje

Në Tiranë forcat politike nuk gjejnë kompromis për datën e zgjedhjeve


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu nxiti të enjten partitë politike që të përfundojnë sa më parë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE dhe marrëveshjes ndërpartiake të fundgushtit.

Zoti Moisiu i bëri këto komente në hapje të një tryeze me partitë politike në presidencë, ku u diskutua mbi reformën zgjedhore dhe satën e zgjedhjeve vendore. "Për ne është e rëndësishme që përmirësimet dhe ndryshimet e kërkuara në legjislacion të bëhen mundësisht sa më shpejt, dhe që fushata zgjedhore të zhvillohet në kushte të barabarta në një klimë besimi reciprok dhe mbi një bazë ligjore të pranuar dhe të zbatuar nga të gjithë palët konkurruese në zgjedhje" - tha presidenti Moisiu.

Zoti Moisiu u kujtoi partive politike se në tryezën e mëparshme të dhjetorit 2005 ato u angazhuan për shpejtimin e reformës zgjedhore, por ende edhe sot, pas afro 1 viti, ky proces nuk ka dhënë fryte të majftueshme. Ndërsa lidhur me datën e zgjedhjeve vendore presidenti Moisiu tha se do të respektojë afatet kushtetuese, përveç rastit nëse forcat politike do të propozonin me kompromis një datë të pranuar nga të gjitha palët.

Pjesëmarrësit në tryezën e presidentit ashprehën atje pikëpamje të ndryshme lidhur me dy temat e diskutuara dhe pas takimit mbajtën po ato qëndrime. "Ne i parashtruam zotit president që të zbatojë afatet kushtetuese, sepse është atribut i tij. Zoti Moisiu theksoi që në rast se nuk ka konsensus, atëherë ai do të dalë me pozicionin e tij kushtetues për të deklaruar datën e zgjedhjeve" - tha pas takimit nënkryetari Partisë Demokratike, Bamir Topi.

Zoti Topi tha se tryeza e partive politike nuk prodhoi asgjë sa i takon datës së zgjedhjeve, ndërsa reforma zgjedhore mbetet e bllokuar nga opozita e cila po punon që të shtyjë sa më shumë në kohë procesin zgjedhor. "Duam që të fillojë puna realisht në komisionin e reformës zgjedhore, të vazhdojë puna në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sepse është bllokuar. janë disa hallka të cilat me një vullnet dashakeqës të opozitës janë bllokuar dhe kjo nuk i shërben imazhit të shtetit" - tha zoti Topi.

Ndërsa kryetari i LSI, Ilir Meta, tha se përgjegjësia për plotësimin e standarteve zgjedhore i takon maxhorancës dhe se opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, nëse nuk sigurohet më parë për to. "Në zgjedhje të cilat nuk ofrojnë dhe nuk garantojnë standarte dhe garancitë e duhura për të qenë të ndershme dhe demokratike opozita nuk mund të marrë pjesë" - tha zoti Meta.

Forcat kryesore politike janë shfaqur mosbesuese dhe akuzojnë vazhdimisht njëra - tjetrën lidhur me vonesat në reformën zgjedhore, duke humbur kështu javë të tëra të vlefshme për përgatitje serioze të procesit zgjedhor që po afron. //rd//

XS
SM
MD
LG