Lidhje

Uashingtoni dhe Brukseli sigurojnë Prishtinën se nuk do të ketë shtyrje të afatit për zgjidhjen e statusit


Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, risiguruan sot në Prishtinë, autoritetet vendase, se nuk do të ketë shtyrje të statusit të Kosovës.

Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë Tina Kajdanov dhe shefi i zyrës së Finlandës, e cila mban presidencën e rradhës së Bashkimit Evropian, i thanë sot kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, se vendimet e Grupit të Kontaktit që dolën pas takimit të shtatorit në Nju Jork, vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanov, pohoi sot se vendimet e mëparshme të Grupit të Kontaktit për çështjen e statusit të Kosovës vazhdojnë të mbeten të pandryshuara. ”Grupi i Kontaktit është i unifikuar në qëndrimin e tij të 12 shtatorit në Nju Jork, çdo minister qe ishte atje e ka nënshkruar, mbetet ende guida udhëheqëse, nuk ka ndonjë bazë tjetër”. Zonja Kaidanov i bëri këto komente pas takimit të shefave të zyrave diplomatike të vendeve të Grupit të Kontaktit dhe BE-së në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Agim Çeku.

Marku Lamanen, shef i zyrës së Finlandës, e cila mban presidencën e radhës së BE-së, tha pas këtij takimi, se ka pasur thashetheme dhe informacione për vonesa në zgjidhjen e statusit, por e hodhi poshtë kategorikisht këtë. ”Nuk besoj se do të kemi ndryshime të mëdha apo vonesa jashtëzakonisht të rrezikshme, deri tani nuk kam ndonjë informacion nga ato organizma për të cilat punoj, nëse ndodh do të më çudiste”.

Kryeministri Çeku tha se kishte kërkuar sqarime për sinjalet për mundësinë e shtyrjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe u shpreh se ishte i inkurajuar nga ajo që kishte dëgjuar nga zyrtarët e lartë amerikanë dhe evropianë . Kryeministri Çeku tha se qeveria e Kosovës nuk do ta humbasë vëmendjen dhe përqëndrimin dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat e ngarkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG