Lidhje

Përurohet ambasada amerikane në Mal të Zi


Sot ne Podgoricë u përurua ambasada e Shteteve të Bashkuara, ku ishte e pranishme Zevends-Ndihmësekretarja e Shtetit Çështje Evropiane Rozmari Dikarlo. Hapja e ambasadës amerikane në Podgoricë, u shpreh Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviç është një mbështetje për përpjekjet e Malit të Zi drejt integrimeve euroatlantike.

Qeveria e Shetetve të Bashkuara të Amerikës përuroi të enjten ambasadën e saj në Podgoricë. Këtë ngjarje e shënoi solemnisht Zëvëndës-Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane, Rozmari Dikarlo, e cila vuri në dukje bashkëpunimin e mirë me Malin e Zi dhe shprehu gatishmërinë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për procesin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të shtetit më të ri ballkanik. Inaugurimin e ambasadës amerikane zonja Dikarlo e vlerësoi si një datë historike në marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi dhe anëtarë të trupit diplomatik në Mal të Zi. Me këtë rast Mnistri i Jashtëm malazez, Miodrag Vlahoviç tha se "hapja e ambasadës amerikane në Podgoricë sinjalizon praninë dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara në rrugën demokratike të Malit të Zi dhe në procesin e integrimeve të tij evropiane dhe euriatlantike".

Ministri i Jashtëm Vlahoviç tha gjithashtu se "Shtetet e Bashkuara për Malin e Zi mbeten përparsia strategjike dhe përkushtimi i vazhdueshëm në marrëdhëniet e gjithanshme politike, ekonomike dhe kulturore".

XS
SM
MD
LG