Lidhje

Haziri:  Pakicat në Kosovë duhet të shihen si pjesë e shoqërisë

  • Intervistoi: Xhixho

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, i cili mori pjesë në një konferencë të zhvilluar këto ditë në Uashington për bashkëpunimin ekonomik dhe investimet në Evropën juglindore, tha se qeveria e Kosovës tashmë ka filluar të ndërtojë politika reale për udhëheqjen e vendit pas statusit. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ai tha se pakicat në Kosovë duhet të shihen si vlera të cilat do të jenë pjesë e shoqërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haziri, sot në Kosovë duket se të gjitha energjitë janë përqendruar te çështja e statusit. A mendoni se Kosova është e përgatitur për periudhën e pas statusit? A jeni i shqetësuar se mund të ketë zhgënjim të njerëzve, pasi shumë mund të mendojnë se statusi do të zgjidhë të gjitha problemet?

Lutfi Haziri: Natyrshëm që populli i Kosovës e pret zgjidhjen e statusit dhe energjitë tona politike e institucionale janë të fokusuara rreth përfundimit të statusit. Natyrshëm që ditën e parë pas statusit nuk do të ketë ndryshim të madh në kuptimin e përmirësimit të kushteve për jetën por do të hapet perspektiva e investimeve, do të hapet perspektiva e zhvillimit dhe qeveria e Kosovës tashmë ka filluar të ndërtojë politika dhe strategji reale për udhëheqjen e vendit në gjendjen e pas statusit.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi te bisedimet e Vjenës. A janë ato të përfunduara, a pritet ndonjë raund i ri bisedimesh?

Lutfi Haziri: Në përgjithësi bisedimet e Vjenës që kanë përfshirë tema jo të statusit janë në përfundim. Takimi i fundit i Grupit të Kontaktit në Nju Jork sjell nevojën që ndoshta në grupin për të drejtat e komuniteteve dhe trashëgiminë kulturore të rishikohet mundësia për një përafrim me zyrën e Ahtisarit. Për sa i përket decentralizimit, pjesa më e vështirë dhe më e ndjeshme e këtij procesi llogaritet si e përfunduar. Ne jemi të gatshëm që të thirremi nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë por besojmë që dokumenti kryesor për zgjidhjen e statusit përfundimtar duhet të hartohet sepse në nivelin e bisedave të ashtuquajtura teknike është arritur të bëhet maksimumi dhe delegacioni i Prishtinës ka arritur të fusë garancitë dhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Një nga parimet e Grupit të Kontaktit është që Kosova të jetë një shtet shumetnik. Megjithatë, ekziston shqetësimi se pas përcaktimit të statusit mund të ketë një largim të banorëve serbë. Madje edhe incidente të kohëve të fundit favorizojnë krijimin e një klime pasigurie. Cfarë masash shtesë mund të marrë qeveria juaj për të garantuar që Kosova të jetë një shtet shumetnik?

Lutfi Haziri: Keni të drejtë. Kosova do të ketë një kusht të ndërtimit të shtetit të vet dhe ky është multietniciteti por jo shikuar në aspektin e numrave sepse grupet etnike që jetojnë në Kosovë përbëjnë maksimumi 6 deri në 8 përqind ndërsa pjesa tjetër e popullatës është shqiptare. Por si pjesë e angazhimeve tona, diversiteti që ekziston atje dhe përgjegjësitë që kemi marrë në këtë fazë për krijimin e një shteti demokratik dhe funksional dhe shumetnik do të jetë pjesë e angazhimeve tona. Pakicat në Kosovë duhet të shihen si begati, si vlera të cilat do të jenë pjesë e shoqërisë. Ata janë banorë të Kosovës dhe nuk guxojmë t’i trajtojmë në asnjë formë të ndryshme. Çdo tendencë tjetër e krijimit të ndjenjave se pakicat mund ta rrezikojnë të ardhmen, është e paqendrueshme, është ndjenjë e cila po keqpërdoret në disa raste. Në përgjithësi, populli shumicë, popullata shqiptare ka një mirëkuptim dhe një angazhim serioz që gjatë kësaj faze të ruhet kjo vlerë, të ruhen komunitetet etnike dhe të mos lejojmë të dëmtohet imazhi dhe procesi si i tillë sepse krejt ajo që po bisedohet deri tani, duke përfshirë bisedimet e Vjenës, takimet këtu në Uashington dhe në çdo qendër tjetër vendimmarrëse ka të bëjë me respektimin e të drejtave të grupeve etnike. Kosova është e gatëshme t’i marrë këto përgjegjësi. Ne nuk do të lejojmë që të atakohen të drejtat e tyre. Unë do të dëshiroja që thirrja ime të shkonte thellë atje ku duhet. Shqiptarët e Kosovës kanë investuar shumë në këtë proces të statusit përfundimtar dhe në ndërtimin e këtyre vlerave dhe nuk mund të lejojmë që në këtë fazë apo në të ardhmen ato të preken dhe të dëmtojnë procesin në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Dhunë në Kosovë ka patur jo vetëm me motive etnike por kohët e fundit është shtuar edhe dhuna le të themi politike. E kam fjalën për rastet ndaj ndihmësve tuaj javët e fundit. Cili është komenti juaj, a kanë të bëjnë këto me fushatën elektorale brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Lutfi Haziri: Cdo lloj incidenti i tillë është i dënueshëm. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që institucionet e sigurisë në Kosovë si policia të ndërhyjnë thellë për parandalimin e tyre. Janë shumë të dëmshme incidentet e motivuara që kanë ndodhur edhe në komunën e Gjilanit e cila njihet si komunë paqësore që ka arritur të integrojë grupet etnike dhe që ka bërë një përparim të mirë deri tani. Kjo është komuna që ka fituar edhe çmimin e Parlamentit Evropian si qytet paqësor por tani është bërë arenë e incidenteve me bombë kundër përgjegjësve politikë, ndaj këshilltarëve politikë që janë edhe në zyrën time. Unë nuk besoj që ka orientim të brendshëm apo që ka si motiv zgjedhjet brenda LDK-së. Kryesisht, këto sulme kanë të bëjnë me dëmtimin e imazhit dhe të procesit të arritur deri në këtë fazë për finalizimin e statusit të Kosovës. Ministria e pushtetit lokal dhe unë, në kapacitetin e anëtarin e kabinetit të qeverisë, kam udhëhequr një proces shumë të ndjeshëm dhe të rëndësishëm që ka të bëjë edhe me decentralizimin, edhe me kthimin e qendrueshëm si dhe me të drejtat e pakicave. //ii

XS
SM
MD
LG