Lidhje

SHBA: Në shtator shtohen 51 mijë vende të reja pune, shifra më e ulët në gati një vit


Megjithëse shifrat e reja të publikuara dje nga Departamenti amerikan i Punës sugjerojnë se ekonomia po ngadalësohet, analistët thonë se ato tregojnë gjithashtu se ekonomia nuk është në rrezik për të kaluar në depresion. Rënia ekonomike ndodh kur prodhimi i brendshëm bruto bie për dy tremujorë me radhë ose më shumë.

Por presidenti Bush thotë se ekonomia amerikane është e fortë.

"Niveli i papunësisë ka rënë në 4 presje 6 përqind. Ne kemi shtuar 6 presje 6 milion vende të reja pune që nga gushti i vitit 2003. Pagat po rriten, çmimet e energjisë po bien, që do të thotë që njerzve do t’u mbeten më shumë para për të kursyer, investuar apo shpenzuar."

Megjithatë analistët thonë se 51 mijë vende të reja pune të shtuara në shtator përfaqësojnë numrin më të ulët që nga tetori i kaluar kur ekonomia ishte ende duke u rimëkëmbur nga pasojat e uraganit Katrina.

Megjithëse niveli i papunësisë tregon një përmirësim të vogël, duke rënë me zero presje një përqind nga gushti, agjenti i punësimit në Florida, Dale Vollrath paralajmëron të papunët, të mos presin shumë.

"Duket se shumica e vendeve të punës janë ato të nivelit fillestar, me paga të ulta – 10 dollarë në orë ose më pak. Punët me paga të larta mungojnë ose po shkurtohen."

Megjithëse ekonomia nuk po rritet, niveli i interesave ka vazhduar të mbetet i njëjtë që nga gushti, duke ndihmuar në uljen e trysnisë inflacionare. Në këtë drejtim kontribuojnë edhe çmimet e energjisë. Nafta, e cila arriti në 80 cent për litër këtë verë ka rënë në 61 cent për litër. Presidenti Bush është entuziast për ekonominë amerikane dhe për këtë i jep meritë shkurtimit të taksave nga ana e administratës që i dha shtytje shpirtit krijues të amerikanëve.

"Një nga detyrat e qeverisë është të sigurojë që shpirti krijues është i fuqishëm, duke krijuar një ambjent që inkurajon iniciativën që do të thotë taksa të ulta, më pak barriera, shpenzime racionale në nivel qeveritar, hapja e tregjeve të jashtme që t'u japë mundësinë këtyre njerëzve të tregëtojnë, por të trajtohen drejtë."

Analistët thonë se raporti mbi tregun e punës do të jetë një faktor i rëndësishëm kur amerikanët të shkojnë në zgjedhjet e nëntorit. //ze

XS
SM
MD
LG