Lidhje

Britania pas kryeministrit Bler


Britania ndodhet në mesin e një pasigurie politike, pasi Kryeministri Tony Blair bëri të ditur se ka në plan të largohet nga pushteti brenda një periudhe 12 mujore, pa përmendur emrin e personit që do ta zëvendësojë. Edhe pse partia e tij laburiste ka fituar në tre zgjedhje të përgjithshme radhazi, popullariteti i zotit Bler në Britani, është në nivelet më të ulëta, sidomos për shkak të luftës në Irak dhe të lidhjeve të tij të ngushta me Presidentin George Bush.

Në Londër, flitet për rënien e popullaritetit të zotit Bler. Çdo mëngjes, spikeri i BBC-së Nick Ferrari, e zgjon Londrën me emisionin e lajmeve. Në këtë program të radios, një numër i madh dëgjuesish që marrin në telefon, shprehin mendimin e tyre për largimin nga pushteti të qeverisë së Tony Blerit. Një numër anësh negative, që nuk ishin dëgjuar më parë për kryemnistrin Tony Blair, i cili ka qenë një nga kryeminsitrat më popullorë në historinë politike të Britanisë.

Majin e ardhshëm, ai do të mbushë 10 vjet në pushtet, nëse do të jetë ende në udhëheqje. "Kur kryeministri Tony Bler erdhi në pushtet, ai shihej si një udhëheqës i ri, karizamtik, i drejtpërdrejtë, dhe i ndershëm"- thotë profesori Rodney Barker.

Arsyeja kryesore e rënies së popullaritetit të zotit Bler është shtimi i pakënaqësisë ndaj luftës në Irak, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Zoti Bler akuzohet nga kritikët për një besnikëri të verbër ndaj Shtëpisë së Bardhë, sipas tyre, në dëm të interesave të Britanisë në botë.

Kjo pikëpamje ka fuqizuar krahun e kundërshtarëve brenda partisë së tij, mes tyre edhe ish-aktorja, tani ligjvënëse, Glenda Jackson. "Sigurisht, se që nga fillimi i luftës në Irak, në zonën time elektorale, njerëzit më thonë: "Unë dhe familja ime kemi votuar kurdoherë për Partinë Laburiste, por përsa kohë që Tony Blair të jetë udhëheqës i saj, unë nuk do të votoj më për të.”

Ky është një fund i turpshëm i karrierës politike të një politikani të cilin shumë analistë, mes tyre edhe Rodney Barker, e kanë cilësuar si njeriun që transformoi Britaninë. "Megjithë nivelin ku ka rënë vlerësimi për Tony Blerin, pa dyshim, që ai është udhëheqësi më i suksesshëm që ka patur ndonjëherë Partia Laburiste. Ai ka fituar në tre zgjedhje radhazi, një mandat të tretë në postin e kryeministrit, me një program të rëndësishëm të reformës kushtetuese; jo me një zgjidhje përfundimtare, por me zgjidhjen më të mirë që kemi patur deri tani për luftën civile në Irlandën e Veriut. Të gjitha këto janë të dhëna tepër të rëndësishme për një politikan. Por duket se një numër jo i vogël britanikësh nuk duan t’i kujtojnë tani ato. Pavarësisht nga fakti që Londra sot ka arritur kulmin e saj, në një epokë të njohur për rritjen e standarteve të jetesës, nivelin më të ulët të papunësisë, shërbimet publike të nivelit të lartë, për gjallërimin e krenarisë kombëtare, njeriu i cili dha kontributin e tij për arritjen e të gjitha këtyre, është “person i padëshiruar” në vendin e tij.

Por ka edhe nga ata që e mbrojnë zotin Bler, të cilët jo vetëm që vlerësojnë arritjet e tij brenda vendit, duke e bërë Londrën një kryeqytet të begatë, por edhe të kushtueshëm, ashtu sikurse edhe qytetet e tjera të botës, në konkurencë me të. Por ata thonë se aleanca e tij me Shtëpinë e Bardhë ka dhënë rezultate, sipas John Prideuax, gazetar në revistën “The economist”. "Thonë se bota duhet trajtuar në mënyrë të tillë, që të përfitosh prej saj dhe në rastin e Britanisë, që ajo të ushtrojë ndikim të botë, duhet të qëndrojë pranë Amerikës. Pikërisht për të patur fitime. George Bush, në veçanti, duke qenë Presidenti i parë amerikan që thotë se mbështet krijimin e një shteti palestinez dhe ata thonë se vullneti i Presidentit Bush për një tjetër rezolutë të OKB-së gjatë vazhdimit të luftës në Irak". Por së shpejti, do të jetë në dorën e udhëheqësit të ri të Partisë Laburiste për të shënuar një faqe të re në historinë e qeverisë në Britani. Ai mund të jetë Gordon Brown, Kancelari i tanishëm i Thesarit. Në se ai zgjidhet kryetar i Partisë Laburiste, ai do të ketë deri në dy vjet e gjysëm në qeverisje para se të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe fillimit të betejës për gjetjen e një pasuesi të kryeministrit Tony Bler.

XS
SM
MD
LG