Lidhje

Afganistani, furnizuesi më i madh i heroinës në botë


Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara thotë se agjencitë amerikane të anti-drogës po bashkëpunojnë me agjenci të tjera ndërkombëtare për të mos lejuar që heroina e prodhuar në Afganistan të arrijë në Amerikë.

Të dhënat flasin vetë. Ndërkohë që gjatë viteve të fundit përpjekjet e anti-drogës për shkatërrimin e të mbjellave me opium kanë patur sukses në vende të tjera, Afganistani pas rrëzimit të rregjimit taleban, ka zënë vendin e parë në botë dhe është pothuajse i vetmi furnizues i heroinës.

Zyra e OKB-së kundër Drogës dhe Krimit publikoi një raport në muajin shtator mbi kultivimin e opiumit në Afganistan ku thuhet se që nga viti 2005 rritja është 59 përqind.

Në raport thuhet se shifra 6100 tonë e kultivuar këtë vit në Afganistan është më e larta deri tani dhe se pritet të sjellë një fitim që i kalon të 3 miliardë dollarët.

Opiumi përdoret për prodhimin heroinës.

Drejtori i politikës së anti-drogës, pranë Shtëpisë së Bardhë, Xhon Ualters, thotë se përpjekjet për çrrënjosjen e bimëve të opiumit kanë dhënë rezultat në Meksikë dhe në Amerikën Jugore, burimet kryesore të heroinës që hyn në Shtetet e Bashkuara.

Por ai shton se agjencitë amerikane si Administrata Amerikane e Anti-Drogës, janë të shqetësuara se këta furnizues mund të zëvendësohen tani nga Afganistani.

“Është një rrezik që u kanoset Shetetev të Bashkuara, një rrezik që nuk ka qenë në këtë nivel gjatë viteve të fundit. Në të kaluarën Azia Jugperëndimore ka furnizuar me heroinë Shtetet e Bashkuara, kështu që ne po mundohemi të punojmë së bashku me Administratën Amerikane të Anti-Drogës dhe agjenci të tjera ndërkombëtare, për të vëzhguar rrezikun e arritjes së opiumit të Afganistanit në Shtetet e Bashkuara.”

Në një intervistë të transmetuar në rrjetin televiziv C-SPAN, Zoti Ualters tha se Shtetet e Bashkuara kanë dy mënyra për të përballuar heroinën e prodhuar në Afganistan.

“Ne po mundohemi të jemi në të njëjtën kohë, vigjilentë dhe të pengojmë ardhjen e opiumit në Shtetet e Bashkuara. Nëse nuk do të kemi sukses, sasia e heroinës në Amerikë do të rritet. Ne do të përpiqemi ta pengojmë atë por në radhë të parë të ndalojmë kultivimin në Afganistan.”

Pak pas publikimit të raportit të OKB-së, Tomas Shuik, i Departamentit Amerikan të Shtetit u tha gazetarëve në Bruksel se shkatërrimi i të mbjellave të opiumit në Afganistan është me shumë rëndësi. Ai shtoi se është shumë më i vështirë ndalimi i trafikimit të heroinës dhe opiumit, që ai e cilësoi si ngarkesa e fshehtë, e cila kalon në kufijtë porozë, në një terren të vështirë.

Zyrtarët amerikanë thonë se talebanët inkurajojnë kultivimin e opiumit në provincën jugore të Helmandit ku trupat amerikanë së bashku me ato të NATO-s, po luftojnë me kryengritësit.

Ndihmës-sekretarja e shtetit për çështjet e Narkotikëve, An Paterson, i tha Kongresit muajin e kaluar se talebanët madje mbrojnë kultivuesit dhe trafikantët e drogës. Ajo tha se nuk është e qartë nëse talebanët nxjerrin fitime nga tregëtia e heroinës apo e bëjnë këtë thjesht si një veprim anti-qeveritar.

Xhon Ualters, i Shtëpisë së Bardhë thotë megjithatë se ka edhe një lajm të mirë: ndërkohë që përpjekjet globale për çrrënjosjen dhe ndalimin e heroinës kanë qenë të suksesshme, pastërtia e heroinës që shitet në botë pa patur rënie. Ai shton si faktor pozitiv rritjen e çmimeve që tregon rënien e sasisë së heroinës. //ii

XS
SM
MD
LG