Lidhje

Hapet në Durrës Universiteti "Aleksandër Moisiu"


Universiteti i Durrësit "Aleksandër Moisiu" çeli sot për herë të parë auditorët për një mijë e tridhjetë studentët e vet në fillim të vitit të ri akademik me ceremoni të posaçme festive për këtë ngjarje të veçantë për qytetin dhe arsimin shqiptar.

"Kishim vite që një universitet për ne të hapej pasi edhe Durrësi kishte nevojë për një universitet të vetin. Kjo është arritje e madhe për ne" - tha studentja Valbona Metani.

Studentë, prindër, pedagogë dhe përfaqësues të parlamentit dhe qeverisë u takuan së bashku në përurimin e universitetit me dy fakultete; atë të ekonomisë dhe të edukimit, si edhe me shkollën e lartë profesionale.

Rektori Agim Kukeli tha se UD ofron standarte të larta studimi të ndërtuar mbi një formulë bashkëkohore akademike.

"Ju garantojmë se ky fakultet nuk do të jetë një fabrikë diplomash, por një laborator i vërtetë i përgatitjes së të rinjve me aftësi të larta profesionale, të krahasueshme me ato të univeristeteve më të mira të botës" - tha zoti Kukeli.

Universiteti ka bashkuar mbi një mijë të rinj nga Durrësi dhe gjithë rrethet e tjera të vendit.

"Për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë hapja sot e këtij universiteti është një ngjarje e madhe. Durrësi në shekuj me urtësinë e tij dhe visaret e pafundme të qytetërimit që mbart, priste universitetin ndaj edhe sot të gjithë së bashku le t'i themi Ta gëzojë universitetin që e meritonte!" - tha kryeministri Sali Berisha.

Ai tha në ceremoni se qeveria do të dyfishojë buxhetin për arsimin duke parë kërkesën e lartë dhe etjen e rinisë shqiptare për dije.

"Qeveria është e vendosur që të dyfishojë në 4 vjet buxhetin e arsimit, në mënyrë që të shkëputemi me shpejtësi nga ai degradim që arsimi njohu në regjimin kleptokratik, regjim i cili përgjysmoi buxhetin për arsimin e lartë dhe arsmin shqiptar në tërësi" - tha zoti Berisha.

Me Universitetin e Durrësit shkon në shtatë numri i qyteteve kryesore të vendit që kanë ngritur qendra të mëdha universitare. Viti i ri akademik është vlerësuar nga ekspertë të ndryshëm për transparencën e konkurrimit të studentëve kandidatë, si edhe për procedurat e sakta që shmangën korrupsionin në pranimet e reja, të cilat ishin vënë re vitet e kaluara.//lk

XS
SM
MD
LG