Lidhje

Mbyllet festivali i 12-të i filmit në Shqipëri


Në Shqipëri u mbyll të hënën festivali i 12 i filmit i organizuar në Tiranë, ku morrën pjesë kineastë dhe prodhime edhe nga Kosova e Maqedonia.

Çmimi për filmin artistik më të mirë iu dha “Kukumit”, prodhim i regjisorit nga Kosova Iso Qosja. Filmi i tij bazohej në zhvillimet që pasuan çlirimin e Kosovës në vitin 1999. Aktori më i mirë u shpall artisti i njohur Ndriçim Xhepa, si protagonist në filmin “I dashur armik” me regji të Gjergj Xhuvanit.

Për aktoren më të mirë femër, trofeun e festivalit e mori Luiza Xhuvani, për interpretimin e saj në filmin e sukseshëm “Parrullat”, i vlerësuar me çmim edhe për skenarin më të mirë, i cili është shkruar nga Ylljet Alickaj.

Në natën përmbyllëse të festivalit u dhanë 15 trofe të ndarë edhe sipas seksioneve në të cilat ishin grupuar të gjithë prodhimet kinematografike në garë, seksioni i filmit artistik, atij alternativ, filmit dokumentar dhe filmit të animuar.

Festivali i 12-te u zhvillua pas një periudhe 6 vjeçare ndërprerjeje. Mjaft prej prodhimeve që konkurruan kishin marrë më parë vlerësime të ndryshme edhe në konkurse ndërkombëtare.//lk

XS
SM
MD
LG