Lidhje

Oli Rehn: Prishtina dhe Beogradi të ndërmarrin qëndrim konstruktiv në bisedime


Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin, Olli Rehn tha sot në Bruksel se Prishtina dhe Beogradi nuk kanë qenë konstruktive kohët e fundit lidhur me negociatat për statusin e Kosovës dhe se strategjia e BE-së ka qenë pikërisht që palët të ndërmarrin një qëndrim konstruktiv dhe realist për këtë çështje. “Është e rëndësishme që zgjidhja, cilado qoftë ajo të jetë e qartë politikisht dhe ligjërisht, tha zoti Rehn, sepse ne duhet të kemi një Kosovë që të jetë për shembull në gjendje që të negociojë marrëveshjen e asociim-stabilizimit me Bashkimin Evropian, që të mund të negociojë një marrëveshje për lehtësimin e vizave me Bashkimin Evropian dhe që të mund të nënshkruajë kontrata me institucionet ndërkombëtare financiare. Ne duhet të ndihmojmë Kosovën që të ndihmojë veten dhe për këtë arsye ne duam që statusi të jetë i qartë politikisht dhe ligjërisht për të lehtësuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror”.

Lidhur me Serbinë, zoti Rehn tha se qeveria e tanishme demokratike duhet të përballet me trashëgiminë e kohës së Millosheviçit, me elementët nacionalistë të Serbisë së të kaluarës duke lehtësuar kështu procesin për një zgjidhje të negociuar të çështjes së Kosovës. Ai tha gjithashtu se po shihet përparim në bashkëpunimin mes forcave politike dhe se shpreson që një gjë e tillë të shërbejë si për negociatat për Kosovën ashtu edhe për perspektivën evropiane të vendit. //rd//

XS
SM
MD
LG