Lidhje

Fondi Amerikan i Ndërmarrjeve zgjeron aktivitetin bankar


Në Tiranë, Fondi shqiptaro-amerikan i ndërmarrjeve i cili është dhe pronari i vetëm i Bankës Amerikane të Shqipërisë, njoftoi sot se ka nisur bisedimet për të përfshirë kapitale të reja me qëllim zgjerimin e aktivitetit të kësaj banke.

Kryetari i fondit Michael Granoff nuk dha emrat e partnerëve të mundshëm që janë ofruar për t’u bërë bashkëaksionerë, por siguroi se bëhet fjalë për institucione me emër dhe eksperiencë në tregun bankar ndërkombëtar. Ai tha se për realizimin e cdo transaksioni të mundshëm do të mbahen parasysh interesat e klientëve, të stafit të bankës dhe synimi per forcimin dhe rritjen e aktivitetit të kësaj banke.

Banka Amerikane e Shqipërisë është një nga institucionet më të rëndësishme financiare në tregun shqiptar. Ajo zë vendin e parë për nivelin e kredidhënies dhe administron afër 586 milion dollarë në asete, me një rrjet filialesh të shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe me përfaqësi edhe ne Greqi.

Kjo bankë u themelua nga Fondi shqiptaro amerikan i Ndërmarrjeve 8 vjet më parë. Vetë Fondi ka investuar në Shqipëri afër 63 milion dollarë duke qenë i pranishëm në shumë sektorë. Ai është aksioner dhe në konsorciumin që administron tani aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Një ditë më parë fondi njoftoi dhe për një financim të ri, në sektorin e minerar, ku me një investim prej 1.8 milion dollarë do të hapë të parën minierë të graniteve në verilindje të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG