Lidhje

Socialistët në Shqipëri fillojnë fushatën zgjedhore


Partia Socialiste hapi sot fushatën e saj për përzgjedhjen e kandidatëve që do të konkurrojnë për pushtetin vendor. Ndryshe nga më parë kandidatët nuk do të caktohen nga kryesia qëndrore por do të kalojnë përmes ballafaqimeve direkte publike dhe procesit një anëtar një votë.

Socialistët të cilët sot mblodhën asamblenë e tyre kombëtare do të paraqiten në zgjedhjet e ardhhme si një koalicion i vetëm me partitë e tjera të opozitës së majtë socialistët thirrën sot forumin e tyre më të lartë drejtues që tanimë ka humbur emrin si Komitet i Përgjithshëm Drejtues e që quhet Asambleja kombëtare. Për koincidencë kjo mbledhje e parë me emrin e ri nuk u mbajt as në Pallatin e Kongreseve aty ku hyri në histori për përplasjet e mëdha që kjo parti përjetoi në vitet e shkuara.

Me takimin e sotëm socialistët hapën praktikisht fushatën e tyre zgjedhore që do të nis me përzgjedhjen e kandidatëve. Një përzgjedhje e cila dhe kjo nuk do të bëhet më si më parë ku emrat caktoheshin nga kryesia në Tiranë. Kryetari Edi Rama, që sapo ka mbushur një vit në udhëheqjen e partisë tha sot se ky proces do të kalojë përmes balafaqimeve publike të kandidatëve duke deklaruar se kushdo është i lirë të ofrojë vetveten apo të influencojë në zgjedhjen e atyre që do të marrin drejtimin e bashkive apo komunave të vendit: "Çdo anëtar duhet dhe do shprehet me votën e tij të fshehtë për të gjetur kandidatin më të prshtatshëm. Ndërsa çdo qytetar jo anëtar mund të shprehet mes pjesmarrjes në forumet qytetare apo shprehejs së opinionit të tij në një kuti të mbledhjes së opinioneve të qytetarëve", tha zoti Rama.

Socialistët do të konkurrojnë si një koalicion me të gjitha partitë e tjera të opozitës së majtë. Por guri i provës për qëndrueshmërine e kësaj aleance pritet të jetë ndarja e tortës elektorale. Ndërsa në Tiranë duket se rikandidimi i zotit Rama është një fakt i kryer, ende mes partive të majta nuk kanë nisur bisedimet për hartën dhe përqindjen e bashkive e komunave në të cilat ato kërkojnë të përfaqësohen. Edhe e djathta nga ana e saj synon të ruajë atë formulë koalicioni që e solli në pushtet më 3 korrik. As ajo ende nuk ka nisur bisedimet me aleatët të cilat do të ndryshojnë dukshëm nga ato të para një viti për shkak të transformimeve brenda së djathtëve ku vecanërisht demokristianët janë kthyer tashmë, të paktën në parlament forca e tretë politike, por që nuk përfaqësohet në qeveri. //rd//

XS
SM
MD
LG