Lidhje

Shqetësime për ndikimin e Gazpromit rus në politikë


Gazpromi është kompania më e madhe ruse, dhe tani është shndërruar edhe në furnizuesin më të madh të gazit për Evropën. Ky konglomerat i administruar nga shteti ka filluar të tregojë interes edhe për sfera të tjera të industrisë energjetike, si dhe ka rritur zotërimet me stacione radiosh dhe organe shtypi. Me rritjen e ndikimit të Gazpromit si në vend ashtu edhe jashtë tij, disa analistë shqetësohen se po rritet edhe mundësia e shfrytëzimit të tij si një vegël politike.

Duhen pesë orë për të fluturuar nga selia e Gazpromit në Moskë në skajet më të largëta të zotërimeve të këtij konglomerati. Fushat e gazit në Siberi e kanë ndihmuar Gazpromit të bëhet kompania më e fuqishme për nxjerrjen e gazit, duke mbuluar 95 për qind të prodhimit të tij në Rusi. Kompania përballon thuajse të gjitha nevojat për gaz të Evropës Qendrore dhe Jugore si dhe të vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik. Kjo kompani zotëron gjithashtu rrjetin më të madh të tubacioneve, të cilat shtrihen në një gjatësi prej 150 mijë kilometrash.

Pra Gazpromi është një kompani e fuqishme, e cila nuk nguron të përdorë ndikimin e saj. Në janar, kjo kompani ndërpreu përkohësisht furnizimet me gaz për Ukrainën, si rezultat i një mosmarrëveshjeje për çmimet. Ky veprim i shqetësoi vendet evropiane, të cilat mbështeten tek Rusia për furnizim me gaz përmes tubacioneve që përshkojnë Ukrainën.

Sergei Kupriyanov është zëvendës-drejtor i Departamentit të Gazpromit për Politikat e Informimit: "Në periudhën afat-gjatë, nga pikëpamja e burimeve, konsumatorët nuk kanë alternativë tjetër përveç Gazpromit. Ndoshta ata sapo kanë filluar ta kuptojnë këtë fakt, prandaj edhe janë të shqetësuar. Por kjo ka qenë e qartë prej kohësh: nuk ka asnjë burim tjetër gazi që i afrohet Gazpromit, ndërkohë që rezervat e Bashkimit Evropian po tkuren me shpejtësi".

Përveç fuqisë në tregun e jashtëm, edhe brenda vendit, ndikimi i Gazpromit po rritet. Në vitin 2001 Gazpromi mori në dorë drejtimin e rrjetit televiziv rus NTV, duke detyruar gazetarët kryesorë të jepnin dorëheqjen. Kohët e fundit Gazpromi ka blerë një numër radio stacionesh dhe gazetash. Kjo kompani gjeneron 8 për qind të taksave kombëtare në Rusi. Të gjitha këto e kanë shndërruar Gazpromin në një faktor të rëndësishëm në arenën politike. Sergei Kolchin, ekspert në Institutin e Moskës për Studime Ekonomike dhe Politike, pranë Akademisë Ruse të Shkencave, thotë se Gazpromi mund të shfrytëzohet për të rritur mbështetjen publike për Kremlinin: "Gazpromi është një forcë e madhe. Fillimisht u krijua si një instrument i qeverisë dhe i Presidentit lidhur me çështjet e brendshme ruse. Këtu përfshiheshin që nga sponsorizimi i klubeve sportive ruse, e deri tek zbulimi i fushave të reja të gazit, por edhe sigurimi i ndikimit politik. Në zgjedhjet e kaluara 80 për qind e zgjedhësve në rajonet e largëta votuan për Presidentin, falë ndikimit të Gazpromit".

Vetë zyrtarët e Gazpromit mohojnë se kompania përpiqet të ndikojë tek politika ruse, qoftë direkt apo përmes mediave që zotëron. Përveç Gazpromit, në skenë ka dalë edhe një tjetër lojtar- kompania shtetërore Rosneft. Kjo kompani dikur pa ndonjë peshë, ka blerë objektin qendror prodhues të Yukos-it, dikur kompania më e madhe private e naftës në Rusi. Vetë Yukosi ka shpallur falimentimin, pas burgosjes së pronarit të tij, kritikut të Kremlinit, Mikhail Khodorkovski, nën akuzat për shmangie taksash.

Analisti Sergei Kolçin thotë se të gjitha këto flasin për përpjekjet e Kremlinit për të kontrolluar të ardhurat nga nafta. Si Rosnefti ashtu edhe Gazpromi janë eksportuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në Rusi. Rritja e çmimeve të karburantit nënkupton se këto dy kompani po shndërrohen në lojtare të rëndësishme në skenën politike dhe ekonomike ruse, gjë që i ka shërbyer pozitivisht Kremlinit.

XS
SM
MD
LG