Lidhje

Romancieri turk Orhan Pamuk, fitues i Nobelit në Letërsi


Çmimi Nobel i Letërisë për këtë vit iu dha romancierit turk Orhan Pamuk, i cili ka dekada që është i famshëm në Turqi për veprat e tij. Romanet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe Pamuk është bërë herë-herë objekt polemikash në vendin e tij për arësye se ka trajtuar subjekte që konsiderohen tabu në Turqi.

Orhan Pamuk është shkrimtari i parë turk që fiton çmimin prestigjoz Nobel. Në shkrimet e tij ai eksploron identitetin kompleks të vendit të tij përmes kulturës, traditave, të kaluarës së pasur dhe të tashmes. Në motivacionin e saj, Akademia Suedeze thoshte se "në përpjekjet për të ngërthyer shpirtin melankolik të qytetit të tij të lindjes, Stambollit, Pamuk zbulon simbole të rinj që përshkruajnë ndeshjen dhe bashkëveprimin e kulturave të ndryshme."

Veprat e autorit janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe simpatizantët e tij po shtohen si në Evropë ashtuj edhe në Amerikë.

Pamuk ka punuar disa vjet si studiues në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut. Librat e tij “Kështjella e bardhë”, “Bora”, “Emri im është i kuq” dhe “Stambolli”, e kanë bërë Orhan Pamukun të njohur në botë.

Në secilin prej librave të tij, dominon ndërveprimi mes kulturës perëndimore dhe asaj lindore. Pamuku ka sjellë në letërsi një stil të shkruari që gërsheton mënyrën tradicionale të tregimit me realitetet e botës moderne ku identiteti dhe përplasja e qytetërimeve janë bërë tema qendrore.

Romancieri 54-vjeçar nuk ka qendruar jashtë polemikave. Kundër tij janë ngritur padi gjyqësore sepse ka trajtuar subjekte që janë tabu në vendin e tij, siç është masakra kundër armenëve të Turqisë gjatë Luftës së Parë Botërore apo vdekjet e kurdëve etnikë në dekadat e fundit.

Akuzat kundër shkrimtarit u hoqën vitin e kaluar por gjyqi i tij e vuri në pozitë të vështirë qeverinë properëndimore të Turqisë e cila ka ndërmarrë një numër reformash për përmirësimin e të drejtave të njeriut para bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Akademia Nobel i nderon shkrimtarët me çmimin e saj jo për një libër të vetëm por për të gjithë veprën e tyre. Orhan Pamuk do të marrë bashkë me çmimin një shumë prej 1,4 milion dollarësh dhe është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e çmimeve dhe banketin që do të jepet më 10 dhjetor, përvjetori i vdekjes së themeluesit të çmimit, Alfred Nobel. //ii

XS
SM
MD
LG