Lidhje

Gjykata e Hagës pritet të tërheqë disa akuza ndaj Ramush Haradinajt


Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, pritet të tërheq disa nga akuzat që ka bërë kundër ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Bashkërenenduesi i avokatëve të zotit Haradinaj, Michael O'Reilly, i tha sot Zërit të Amerikës, se ende nuk dihet sa akuza do të hiqen dhe cilat. Procesi kundër zotit Haradinaj nuk pritet të fillojë në janar të vitit të ardhshëm, por jo edhe më vonë se muaji mars.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, zhvilloi sot një konferencë statusore lidhur me procesin kundër ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Bashkërenduesi i avokatëve të zotit Haradinaj, Michael O’Reilly, i tha Zërit të Amerikës, se afati i përcaktuar për fillimin e gjykimit në janar, vështirë që do të mund të respektohet. “Gjykimi duhet të fillojë zyrtarisht në janar, të gjithë e dimë tani se ky afat do të jetë jashtëzakonisht I vështirë të mbahet, ne jemi pas gjykimit për rastin e Vukovarit që po vazhdon, vura re dje se zëdhënësi për gjykatën apo prokurorinë, tha se rasti ynë mund të fillojë gjykimin në mars, ky nuk është pozicioni zyrtar i gjykatës dhe nuk e di se me cfarë autoriteti u dha ky njoftim, por mund të ndodhë në fund megjithatë që të jetë i vërtetë. Janari nuk është afat realist tani, rasti I Vukovarit po zgjat përtej asaj që ishte parashikuar, por mendoj se nuk do të fillojë më vonë se muaji mars”.

Zoti O’Reilly konfirmoi gjithashtu se prokuroria pritet të tërheqë disa nga akuzat që ka bërë kundër zotit Haradinaj. “Me muaj të tërë prokuroria na ka thënë se do të shtojnë akuza të reja, por nga konferenca e sotme statusore, duket se krejt e kundërta do të ndodhë, që disa akuza do të hiqen, nuk e dimë sa, nuk e dimë cilat, e dimë se do ta kemi këtë informacion ndoshta nga fundi i javës tjetër”.

Gjykata do të lejojë prokurorinë që të paraqesë rastin e saj kundër zotit Haradinaj për 6 muaj rresht dhe më pas, do të jetë rradha e mbrojtjes. Zoti O’Reilly thotë se nuk prêt që mbrojtja të vazhdojë kaq gjatë sa prokuroria, megjithatë shton se në këtë moment, nuk është ende i sigurtë për këtë. Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, dha dorëheqjen më 8 mars të vitit 2005, pas publikimit të akt-akuzës së prokurorisë së gjykatës ndërkombëtare të Hagës, dhe u dorëzua vullnetarisht në Hagë.

Gjatë qeverisjes së tij tre-mujore në Kosovë, zoti Haradinaj, u vlerësua gjerësisht për punën e tij dhe për vendosjen e dinamikës së plotësimit të standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare, vecanërisht ato që kanë të bëjnë me pakicat në përgjithësi dhe pakicën serbe në veçanti. //rd//

XS
SM
MD
LG