Lidhje

Topalli:Presidenti shfaqet bashkëpërgjegjës për sistemin kleptokratik


Në Shqipëri, presidenti Alfred Moisiu vendosi sot të refuzojë kërkesën e parlamentit për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Kreu i shtetit njoftoi zyrtarisht për këtë kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli, ku ai ka dhënë edhe shpjegimet e vendimit të tij. Kërkesa për shkarkimin e kryeprokurorit u miratua vetëm me votat e shumicës së djathtë në pushtet, në përfundim të hetimeve të një komisioni parlamentar, ku përfaqësuesit e djathtë akuzonin drejtuesin e prokurorisë për shkelje të kushtetutës dhe lidhje të tij me botën e krimit. Për të marrë reagimet e para pas njoftimit për vendimin e presidentit Moisiu, Zëri i Amerikës i mori një intervistë Kryetares së Parlamentit shqiptar, zonjës Jozefina Topalli.

Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, cilat janë argumentat ku e mbështet presidenti vendimin e tij për të kundërshtuar propozimin e parlamentit?

Jozefina Topalli: E para, mund të them që në letrën bashkëngjitur në dekretin për mosmiratimin e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk referohet asnjë praktikë e përngjashme në vende të tjera që në fakt nuk ekzistojnë. Ajo nuk i referohet asnjë ekspertize të huaj se në fakt nuk ka patur asnjë ekspertizë të huaj dhe të gjitha këto janë gjëra të pavërteta që hapen nga zyrat e presidencës. Nga ana tjetër unë mendoj se gjithë kjo periudhë e zgjatur natyrisht nuk ka qënë një periudhë që do i shërbente për ta shqyrtuar meqënëse vendimin e kishte të marrë që përpara se ti dërgohej dosja. Unë mendoj se është një veprim i paprecedent, që një president i kundërvihet sovranit dhe mban në fuqi një prokuror mbi të cilin rëndojnë një mal me akuza. Natyrisht me këtë veprim, për fat të keq, në këtë rast presidenti shfaqet si bashkëpërgjegjës për të gjithë sistemin e vendosur kleptokratik me Prokurorin e Përgjithshëm dhe me sistemin e krimit që ka dëmtuar shumë vendin, më shumë se asgjë tjetër, gjatë gjithë kësaj periudhe. Unë besoj se si në asnjë rast tjetër për këtë vend, në parlament për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, me ndërgjegje dhe me vullnet të plotë, pas një hetimi të gjatë dhe respektimi të procedurave tre-katër mujore, kanë votuar 79 deputetë, pra është një maxhorancë shumë e cilësuar, që nuk është përsëritur më përveç rastit të votimit të programit të qeverisë.

Zëri i Amerikës: ...Por megjithatë ajo është maxhoranca e Partisë Demokratike.

Jozefina Topalli: Kjo është një maxhorancë shumë e shtrirë realisht.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zonja Topalli, përplasjet me Prokurorin e Përgjithshëm filluan menjëherë pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike. Si i shikoni ju marrëdhëniet në të ardhmen, pas vendimit të sotëm për prokurorin. A mund të bashkëpunoni ju në të ardhmen me institucionin e prokurorisë?

Jozefina Topalli: Pavarësisht se ky vendim i paprecedentë dhe tmerrësisht kompromentues për zyrën e Presidentit, me shkaqe që realisht për mua duhet të jenë shumë dëshpëruese dhe natyrisht shihen si inkurajim për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri, unë mund të them se përpjekjet kundër krimit të organizuar, sado të vështira që janë, do vazhdojnë, dhe ne e dinim se do të gjenim rezistencë nga çdo zyrë e këtij shteti, për faktin se shumë segmente të tij ishin të kapura dhe kjo ishte e raportuar edhe nga ndërkombëtarët dhe ne e ndjejmë në çdo moment në punën tonë të përditshme. Gjithsesi unë mendoj se është një rast për të inkurajuar të gjithë prokurorët, ata të krimeve të rënda, por edhe të gjithë prokurorët e tjerë për të vazhduar, ata që kanë integritet, ata që kanë profesionalizëm dhe që nuk janë të lidhur me afije dëshpëruese të ndërlikuara me krimin apo me proceset që kanë apo kishin të bënin me Gjermenin, me Kuçin, me Aldo Baren apo me të tjerë, që të vazhdojnë punën e tyre dhe misionin e tyre. Unë mendoj se natyrisht ky vendim është shumë i rëndë, i një graviteti të paprecedentë, thellësisht kompromentues. Por që beteja kundër korrupsionit nuk është një betejë njëvjeçare, është një betejë e gjatë, është një platformë e tolerancës zero, kështu që nuk është asgjë e papritur, sepse në fakt është një kapje reciproke.

Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, gjatë këtyre komenteve ju po bëni disa akuza të rënda edhe për zyrën e Presidentit. A po shihet këtu fillimi i një krize të re institucionale në Shqipëri?

Jozefina Topalli: Unë mendoj se pavarësisht nga graviteti i kompromentimit, .... aq më tepër që Presidenti ka vetëm 7 muaj mandat, asnjëri nuk e mendon një gjë të tillë. Ajo që ne mendojmë është që të vazhdojmë përpara me reforma. Unë natyrisht nuk bëj asnjë akuzë për asnjë njeri. Unë jam personi që kam qenë koherent me veten që në votën e parë kundër Prokurorit të Përgjithshëm. Gjatë periudhës më pas ai ka kompromentuar gjithnjë e më shumë veten e vet dhe mbështetja pastaj që disa institucione i bëjnë njëra tjetrës janë mbështetje të detyruara për shkak të kapjes apo të ortakërisë me kapjen. Unë nuk kam patur asnjë iluzion për Prokurorin e Përgjithshëm për shkak se që ditën e parë që ai është zgjedhur kam votuar kundër. Gjithë vitet më pas kanë treguar se sa të drejtë kam patur me atë votë kundër. Vendimi i sotëm për të mosmiratuar vendimin prej 79 votash të deputetëve të parlamentit dhe unë kam për detyrë që të mbrojë këtë votë, shumë të cilësuar të maxhorancës, shëmbëllen apo siç thonë me të drejtë opinionistët është një lloj ortakërie që ka për bazë kapjen. Flitet shpesh për të tilla ortakëri që kanë për bazë kapjen.

Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, i takon shumicës në pushtet që të krijojë klimën e duhur, klimën e përshtatshme për bashkëpunimin e institucioneve për të realizuar synimin kryesor që i ka vënë vetes kjo qeveri që është lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Në kushtet e reja, si mendohet të veprohet në të ardhmen?

Jozefina Topalli: Unë nuk mendoj se mund të bashkëpunohet me ata që janë të kapur nga krimi apo që janë në ortakëri me kapje. Unë mendoj të bashkëpunohet me të gjithë ata prokurorë, gjykatës të ndershëm, të përkushtuar që kanë integritet në një betejë shumë të shenjtë, shumë vendimtare për vendin dhe të ardhmen tonë. Në këtë aspekt nuk ka më asnjë justifikim, asnjë vendim dhe dekret që mund të dekurajojë as maxhorancën as qeverisjen në përgjithësi për të çuar përpara reformën. Ju e dini mirë se për integrimin në Bashkimin Evropian dhe Nato ka një prioritet, ka një obligim që i kërkohet Shqipërisë të përsëritur në çdo zyrë dhe në çdo takim me të huajt, qoftë jashtë Shqipërie, qoftë nga ata që vijnë në Shqipëri – luftë pa kompromis kundra korrupsionit dhe krimit. Tashmë ka filluar çmontimi i këtij sistemi. Ata që mbrojnë këtë sistem të kleptokracisë dhe të krimit të organizuar natyrisht që ndihen shumë në vështirësi në këto momente dhe bëhen vetëm vendime dhe hapa shumë të pajustifikuara. Unë mendoj se çdo përpjekje për të konsideruar apo për të spekulluar si pavarësinë është një përpjekje shumë spekulluese, sepse në fakt pavarësia e pushteteve dhe e institucioneve kushtetuese nuk mund të shikohet kurrë si mundësi për të mbuluar funksionimin jo të mirë të tyre, apo si përjashtim nga përgjegjësitë dhe nga kontrolli, apo më keq kur këto funksionojnë në kapje, apo në mungesë totale lirie brenda vetes së tyre dhe brenda zyrës.

XS
SM
MD
LG