Lidhje

Presidenti Moisiu jep arsyet për mosshkarkimin e Sollakut


Në Shqipëri presidenti Alfred Moisiu paraqiti sot arsyet e vendimit tij për të refuzuar kërkesën e parlamentit të miratuar vetëm nga shumica e djathtë për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm. Ai i bëri thirrje forcave politike që të qëndrojnë larg spekullimeve dhe interesave të politikës së ditës në vlerësimin e vendimeve të tij si kryetar shteti. Por e djathta e ka sulmuar ashpër atë për këtë vendim. Madje sot zëdhënësi i PD-së akuzoi për lidhje direkte të presidentit me afera e trafiqe.

Një ditë pas vendimit të Presidentit për të mos shkarkuar prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku politika shpërtheu në reagime të ndryshme të pozicionuara në qëndrime tejet të ashpra të së djathtës nga njëra anë dhe vlerësime pozitive të opozitës.

Vetë kreu i shtetit Alfred Moisiu u shfaq sot për të bërë publike arsyet e vendimit të marrë prej tij. Ai u shpreh për defekte proceduriale në vendimin e parlamentit dhe për cënim të parimit të një procesi të rregullt ligjor dhe të prezumimit të pafajsisë duke qenë se sipas tij anëtarë të komisionit hetimor kishin deklaruar si të provuara të gjitha akuzat ndaj prokurorit para se vetë komisioni të niste hetimet. Nga ana tjetër presidenti vlerësoi se komisioni kishte marrë kompetenca dhe atribute që i takojnë organeve të pavarura kur kishte marrë përsipër të gjykonte mbi vendimet e prokurorëve:

"Diskrecioni i prokurorëve në një vendimmarrje për proçedim penal nuk mund të zëvendësohet nga një pushtet tjetër. Mendimet e ndryshme të degëve të tjera të pushtetit mbi vendimet e prokurorëve janë pjesë e një realiteti politik, por ndërhyrja e politikës në vendimmarrjet e prokurorëve është e papërshtatshme dhe një preçedent i rrezikshëm për shtetin e së drejtës. Funksionin kontrollues mbi këto vendime nuk mund ta marrë parlamenti, por vetëm Gjykata dhe kjo mbi bazën e ankimit të palëve të interesuara".

Presidenti deklaroi se sipas tij nuik plotësoheshin kushtet që parashikoheshin në kushtetutë për shkarkimin e Prokuorit të Përgjithshëm:

"Konkretisht nuk më rezulton se Prokurori i Përgjithshëm ka shkelur Kushtetutën, ka bërë shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, ka paaftësi mendore a fizike apo ka bërë akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit".

Duke iu kundërpërgjigjur në mënyrë indirekte akuzave të lëshuara që dje prej së djathtës se me vendimin e tij do nxitej krimi dhe korrupsioni, presidenti u shpreh se betejat kundër këtyre fenmomeneve kërkojnë bashkëpunim të të gjitha institucioneve duke respektuar njëkohësisht dhe funksionet e përgjegjësitë e tyre:

"U bëj thirrje forcave politike dhe Kuvendit, që larg spekullimeve dhe interesave politike të ditës, të jenë në nivelin e kërkuar të etikës dhe kulturës demokratike në vlerësimin e vendimeve të Presidentit të Republikës".

Por sot Partia demokratike e shtoi edhe më tej peshën e akuzave. Zëdhënësi i saj Gazmend Oketa deklaroi se vendimi i presidentit ishte një detyrim i tij ndaj dosjeve që Prokurori i Përgjithshëm sioc tha ai, ka për vetë kreun e shtetit:

"Ky veprim është produkt i botës së krimit që dëshmon qartë se zoti Moisiu ka qenë garant i sistemit kleptokratik, dhe që ka shfrytëzuar atë për të ndërtuar shoqëri ajrore dhe për ti përdoru këto shoqëri njëlloj si bosët kolumbianë për trafiqe nga më të fëlliqurat".

Një qëndrim krejt të kundërt mbajtën socialistët. Kryetari Edi Rama foli për një qëndrim kushtetues dhe emancipues të Presidentit:

"Presidenti i Republikës dëshmoi dhe një herë mospërkuljen e tij ndaj presionit politik dhe refuzimit të prerë për t’u bërë pjesë e politikës së vjetër. Ai dha dje një tjetër shembull të respektit për kushtetutën për institucionet kushtetuese dhe për interesat e vendit dhe qytetarëve shqiptarë".

Me anë të një deklarate të shkurtër edhe vetë prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku falenderoi Presidentin për vendimin i cili sipas tij "është një fitore morale dhe ligjore e Institucionit të Prokurorisë si dhe një moment reflektimi jo vetëm për ata që ideuan, krijuan dhe zbatuan këtë proces, por edhe për vetë Prokurorinë në ushtrimin e përgjegjësive Kushtetuese dhe ligjore. Qëndrimi i Presidentit - vazhdon më tej deklarata e zotit Sollaku - është një inkurajim për gjithë prokurorët e Republikës në përballjen e tyre me sfidat e luftës kundër të gjitha formave të krimit". //kk//

XS
SM
MD
LG