Lidhje

Mungesa e ushqimit - problem madhor për miliona vetë në botë


Më 16 tetor është Dita Botërore e Ushqimit, një ngjarje e përvitshme që e kthen vëmendjen tek uria në botë. Këtë vit i është kushtuar vëmendje investimeve në bujqësinë e vendeve në zhvillim, veçanërisht fermerët e vegjël.

Mbi 800 milionë njerëz në gjithë botën jetojnë në gjendje urie të vazhdueshme. Dhe 25 mijë prej tyre vdesin çdo ditë, kryesisht nga kequshqyerja. Para 20 vjetësh, krerët e shtetit në takimin e nivelit të lartë të organizatës botërore të ushqimit vunë si objektiv përgjysmimin e urisë në botë deri në vitin 2015.

Joachim von Braun, drejtor i Institutit Ndërkombëtarë për Studime në Politikat e Ushqimit në Washington mendon se kjo ende është e mundur. “Kina, India, Brazili kanë ndërmarrë hapa të reja të mëdha për të pakësuar urinë dhe kequshqyerjen. Problemi është në vendet më të vogla dhe në pjesën më të madhe të Afrikës Nën-Sahariane. Por përgjysmimi i urisë deri në vitin 2015 është një synim i realizueshëm”.

Gratë dhe fëmijët janë zakonisht ata që vuajnë më shumë. Në Afrikë, një krizë e rëndë ushqimi në vitin 2005 dhe para disa muajsh duket se po lehtësohet në shumë pjesë të kontinentit. Por llogaritet se 200 milionë vetë mbeten të ushqyer keq.

Fermerët e vegjël janë ata që mbulojnë mbi tre të katërtat e bujqësisë në vendet në zhvillim. Në Afrikë, shumë prej tyre janë gra që kultivojnë ngastra të vogla toke. Zoti Von Braun thotë se këto gra mund të ndihmohen me hua të vogla dhe kooperativa të organizuara për t’i ndihmuar ata për të tregëtuar të korrat.

Fermerët në disa pjesë të Malawit në Afrikën jugore po përballen me mungesa në ushqim. Aida Germa e UNICEF-it thotë se gjysmë milionë fëmijë në Malawi kanë humbur fëmijët nga Sida duke lënë shumë prej tyre jetime dhe të paushqyer. “Sida dhe virusi HIV ka rrënuar deri tani një numër familjesh. Gjendja është e tillë ku përqindja e të kequshqyerit nuk është përmirësuar aspak që nga viti 1992”.

Joachim Von Brown thotë se për shkak të një popullsie më të madhe, në Azinë Jugore ka dy herë më shumë fëmijë të paushqyer sesa në Afrikën Nënsahariane. Por arsyet janë të ndryshme, meqë uria nuk ndodh shpesh në Azinë Jugore. Megjithëse bujqësia atje është përmirësuar, statusi i ulët i grave nuk ka ndryshuar.

Praktika të zakonshme, si ajo që burrat hanë të parët në shtëpi kanë sjellë si rezultat mungesë ushqimi tek gratë dhe vajzat. Von Braun thotë se investimi në arsimin dhe kujdesin shëndetësor për gratë mund ta pakësojë këtë dukuri mes grave dhe fëmijëve. “Në Azi kemi të bëjmë më shumë me shëndetin, arsimin e nënës dhe diskriminimin e grave sesa në Afrikën nënsahariane ku problemet janë mungesa e ushqimit, vështirësia për të gjetur ushqim dhe kushtet e këqija ekologjike dhe si edhe toka jopjellore. Kështuqë ne duhet të gjejmë mënyra të ndryshme për të luftuar kequshqyerjen dhe problemin e urisë në Azinë Jugore në krahasim me Afrikën Nënsahariane”.

Ai beson se investimet në bujqësi, ashtu si edhe përmirësimi i arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës, uria mund të luftohet duke u dhënë mundësi vendeve të varfra që të ushqehen vetë.

XS
SM
MD
LG