Lidhje

Organizata Botërore e Ushqimit: 6 milionë fëmijë në vit vdesin nga uria


Udhëheqës nga bashkësia humanitare mbarëbotërore, u paraqitën kohët e fundit përpara një komisioni të rëndësishëm të Senatit, në Uashington, për të diskutuar strategji të ndryshme për të ulur nivelin e urisë në radhët e fëmijëve anembanë botës. Ata gjithashtu ritheksuan shumë sfida dhe pengesa me të cilat ndeshen në përpjekjet e tyre.

Një raport i publikuar vitin e kaluar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së, thotë se afro 6 milionë fëmijë vdesin çdo vit në botë nga uria dhe mungesa e ushqimit. Shumica e vdekjeve ndodhin në Afrikën nën-sahariane dhe në Azinë Jugore. Ann Veneman drejtoreshë e Fondit të OKB-së për Fëmijët, u tha ligjvënësve të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, se sigurimi i ndihmave ushqimore emergjente nuk është zgjidhja e vetme për të ndryshuar situatën.

“Shëndeti i mirë i nënave gjatë shtatzanisë, ushqimi i mirë dhe vitamina, ushqyerja e fëmijëve me qumështin e nënës, shkolla më të mira, kontroll më efektiv i sëmundjeve, politika që sigurojnë ushqim, sigurimi i ujit të pastër dhe masat sanitare. Këto duhet të merren si masa të integruara” - tha ajo.

Doktore Xhuli Gerberding, drejtoreshë e Qendrës Amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, tha se ndërkohë që qeveritë luajnë një rol të rëndësishëm për të luftuar urinë në radhët e fëmijëve, sektori privat ka mundësitë për të marrë përsipër një rol më të madh.

“Aftësia e sektorit privat për ndryshime ndoshta kalon edhe aftësitë e instituteve tona kërkimore qeveritare. Duhet që kërkuesit të marrin parasysh rrezikun e investimit. Për qeverinë është më e vështirë, ndërsa në sektorin privat kërkuesit kanë dorë më të lirë në aktivitetin e tyre krijues”.

Xhejms Moris, drejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, i tha komisionit se katastrofat e fundit natyrore, si cunami në Oqeanin Indian, kanë mbingarkuar në mënyrë të paparashikuar agjencitë ndërkombëtare të ndihmave.

“Më parë, 80 përqind të Programi Botëror të Ushqimit, merrej me zhvillimin, parandalimin dhe lehtësimin, ndërsa sot afro 85 përqind të këtij programi angazhohet me përgjigjen ndaj katastrofave natyrore. Në këtë mënyrë shuma e kufizuar e parave të disponueshme përdoret për të shpëtuar jetën e njerëzve të ekspozuar ndaj katastrofave, duke lënë mënjanë investimet mbi programe afatgjata, të cilat japin rrezultate të mëdha,” - thotë Morrs

Senatori republikan, Riçard Lugar, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, pyeti se cila nga agjencitë kishte përgjegjësinë për koordinimin e dhjetra programeve për zhdukjen e urisë, të krijuara nga qeveritë dhe sektori privat. Zoti Moris tha se përgjegjësia shtrihet përtej bashkësisë ndërkombëtare të ndihmave.

“Përgjegjësia për të cilën po flasim bie mbi vetë shtetet, detyra jonë është të jemi të pranishëm dhe të ndihmojmë. Ka probleme të vështira lidhur me mundësitë dhe burimet, kompetenca teknike që duhet të sigurohet nga vendet e tjera dhe këto mund të arrihen vetëm nëse vetë vendi ku jepen ndihmat organizohet.”

Por Xhorxh Uard, nën-president i programit Vizioni Botëror, tha se përgjegjësia i kalon kufijtë e qeverive.

“Ata që kanë përgjegjësinë duhet të ndihen si familja në nevojë, sepse ata janë të vetmit që janë në dijeni të nevojave dhe janë gjithashtu po ata që do të zbatojnë zgjidhjet. Ne duhet të gjejmë zgjidhje të cilat ata duhet t’i zbatojnë.”

OKB-ja është zotuar të përgjysmojë numrin botëror të njerëzve që vuajnë nga uria dhe mosushqimi brenda vitit 2015 dhe kërkon të zvogëlojë me dy të tretat numrin e vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5-vjeçare, brenda të njejtit afat.//lk

XS
SM
MD
LG