Lidhje

Ndikimi i luftës në Irak në përhapjen e terrorizmit


Muajin e kaluar, pjesë të një raporti sekret të qeverisë amerikane për terrorizmin global u publikuan nga media, e cila njoftoi se dokumenti thoshte se lufta në Irak po krijonte më shumë terroristë seç eliminonte. Shtëpia e Bardhë thotë se media e kishte keqinterpretuar informacionin sekret dhe presidenti Bush dha urdhër që pjesë të tjera që kanë lidhje me të të bëhen publike në mënyrë që të gjithë të mund të nxjerrin përfundimet e tyre, siç tha presidenti.

Pasi u hoq klasifikimi si dokument sekret, drejtori i shërbimeve sekrete kombëtare amerikane John Negroponte e lexoi publikisht një prej vlerësimeve më kyçe të Raportit të Vlerësimit të Shërbimeve Sekrete Kombëtare. “Xhihadi irakian po krijon një brez të ri udhëheqësish dhe operativësh terroristë. Megjithatë, nëse xhihadistët që largohen nga Iraku mendojnë dhe shihen sikur kanë dështuar, atëherë gjithnjë e më pak luftëtarë do të frymëzohen për t’iu bashkuar luftës.”

James Phillips, një ekspert terrorizmi në Fondacionin Heritage në Uashington thotë se segmentet e publikuara nga raporti sekret ishin zgjedhur qëllimisht që të nënvlerësonin rëndësinë e fitores së luftës në Irak. “Megjithëse është e vërtetë se lufta i ka lejuar xhihadistët të tërheqin më shumë rekrutë, i njëjti raport thoshte gjithashtu se një fitore e xhihadistëve do të bënte që ata të tërhiqnin edhe shumë të tjerë. Dhe kjo nuk u publikua nga ata që bënë publike fjalinë e parë.”

Pjesët e raportit të botuara në gazetën Nju Jork Times tregonin vlerësimin e agjencive sekrete të Shteteve të Bashkuara se konflikti irakian po tërheq përkrahës dhe një lëvizje globale xhihadiste. Por pjesa tjetër sekrete që nuk ishte bërë publike radhiste edhe faktorë të tjerë, të cilët gjithashtu po nxisin përhapjen e xhihadit. Ata përfshijnë sfida në shumë vende myslimane, siç janë korrupsioni dhe padrejtësia, si dhe ritmet e ngadalta të reformave ekonomike, sociale dhe politike.

Eksperti i terrorizmit Anthony Cordesman në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington DC se ky raport nuk ka arritur të trajtojë disa probleme të tjera. “Gjatë të paktën 15 vjetëve të ardhshme do të ketë presion shumë të madh demografik në Lindjen e Mesme. Miliona njerëz do të hyjnë në tregun e punës ku papunësia është në masë që tani, dhe aty ka shumë pak mundësi. Urbanizimi i tepruar po ndodh në zona ku institucionet e arsimit, kapaciteti i strehimit dhe kushtet e tjera të jetës nuk janë modernizuar ende.”

Raporti i Vlerësimit të Shërbimeve Sekrete Kombëtare thotë se lëvizja xhihadiste ka disa dobësi, dhe mbi të gjitha, është qeverisja e bazuar në interpretimin ultra-konservativ të ligjit islamik, e cila nuk është shumë e mbështetur nga shumica e myslimanëve.

James Phillips nga Fondacioni Heritage thotë se qeveria e rrëzuar e Talebanit në Afganistan tregoi anën e errët të Islamit radikal. “Ajo që ndodhi në Afganistan ishte e tmerrshme, dhe kishte abuzime të pamenduara të të drejtave të njeriut, ku gratë nuk mund të dilnin nga shtëpia për të punuar, vajzat nuk mund të shkonin në shkollë, burrat futeshin në burg nëse nuk mund të rrisnin mjekrën e gjatë siç i pëlqente Talebanit, dhe afganët shpejt u mërzitën nga kjo.”

Analisti Phillips thotë se shumë terroristë të nxitur nga emocioni i momentit shkojnë në Irak dhe luftojnë në kuadër të xhihadit, por nuk arrijnë të mendojnë se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të luftës. //ad//

XS
SM
MD
LG