Lidhje

Ryker: Statusi i Kosovës do të zgjidhet brenda vitit 2006


Kryeadministratori i OKB në Kosovë, Joakim Ryker, deklaroi të martën gjatë një vizite në Tiranë se për statusin e ardhshëm të Kosovës do të gjendet zgjidhja vitit 2006. "Ne do të jemi përkrah atyre që marrin vendime pët statusin e ardhshëm të Kosovës; grupi i kontaktit, Këshilli i Sigurimit dhe i dërguari i posacëm, marti ahtisari." - tha zoti Ryker.

Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Sali Berisha, në të parën vizitë zyrtare në Shqipëri. "I dërguari i Posacëm, Ahtisari, ka deklaruar në shtator pranë Grupit të Kontaktit në Nju Jork se do të bëhet gjithcka është e mundur që zgjidhja do të arrihet brenda vitit 2006. - tha zoti Ryker. - Ne kemi besim të plotë që nën drejtimin e zotit Ahtisari do të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe e plotë për statusin e Kosovës. Zgjidhja e këtij problemi, si enigma e fundit në Ballkan, është po aq e rëndësishme për rajonin." - tha ai.

Zoti Ryker tha se e vlerëson shumë punën e grupit negociator, dhe se besonte që të gjithë aktorët e interesuar do të ndihmojnë për një zgjidhje të mirë dhe të shpejtë të kësaj cështjeje.

Ndërsa kryeministri Berisha tha se admironte qëndrimin e udhëheqjes politike të Kosovës dhe bashkëpunimin që ajo ka dëshmuar me zotin Ahtisari dhe Grupin e Kontaktit. Sipas tij, ekipi negociator do të qëndrojë i bashkuar deri në përmbushjen e misionit, ndërsa Beogradi nuk është realist në qëndrimet për Kosovën. "Zgjidhja e statusit brenda mandatit të zotit Ahtisari është koha më optimale e zgjidhjes së tij. Respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave të serbëve në Kosovë dhe pavarësia e këtij vendi janë kusht për paqen dhe stabilitetin në rajon". - tha zoti Berisha.

Nga ana tjetër, kryeadministratori Ryker bëri një përshkrim edhe për ekonominë e Kosovës. "Statusi do ta ndihmojë gjendjen ekonomike të Kosovës, sepse ka disa kufizime dhe Prishtina nuk ka mundësi që të paraqitet tek institucionet financiare ndërkombëtare. Disa cështje do të përmirësohen me vendosjen e statusit. - tha zoti Ryker. - Por, Kosova aktualisht ka dhe pas statusit do të ketë bazën ligjore dhe institucionale për një ekonomi tregu funksionale dhe investimet e huaja janë të mirëpritura dhe tërësisht të mbrojtura aty". - tha ai.

Sipas zotit Ryker, investitorët e huaj nuk kanë pse të presin për statusin e Kosovës, ndërkohë që bashkëpunimi me Shqipërinë është shumë i mirë dhe do të forcohet më tej në fushat e energjisë, turizmit, dhe infrastrukturës së përbashkët. Vizitën në Shqipëri kryeadministratori i Kosovës, Ryker, e shfrytëzoi edhe me nënshkrimin me autoritetet shqiptare të dy memorandumeve të mirëkuptimit në sektorin e energjitikës.

XS
SM
MD
LG