Lidhje

Prirjet demografike në Shtetet e Bashkuara


Më 17 tetor popullsia e Shteteve të Bashkuara kapi shifrën e 300 milionë banorëve. Amerika, ze kështu vendin e tretë në botë për numrin e popullsisë, pas Indisë dhe Kinës. Presidenti Bush tha dje me anë të një deklarate se miliona njerëz kanë ardhur në Amerikë për të jetuar në liri dhe për një jetë më të mirë për vete dhe familjet e tyre. Ai tha se rritja e popullsisë është një provë e dinamizmit të vendit, por edhe një kujtesë se pasuria më e madhe e Amerikës është populli i saj.

Kombi i ri që u shkëput nga Anglia më 1776, ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë. Ai ka parë një luftë civile dhe dy luftra botërore, ka parë udhëtime në Hënë e shumë të tjera. Tani, një ngjarje tjetër e rëndësishme: popullsia e Amerikës kapi shifrën e 300 milionë. Dje në orën 6:45 të mëngjesit, për të shënuar këtë ngjarje, në Zyrën e Regjistrimit të popullsisë, u zhvillua një ceremoni e vogël.

Në të gjithë historinë e vendit, rritja e popullsisë ka qenë relativisht e qëndrueshme. Në vitin 1915, popullsia arriti 100 milionë. Në atë kohë, benzina kushtonte 6,5 centë për litër. President i Shteteve të Bashkuara ishte Woodrow Wilson dhe në Evropë vazhdonte Lufta e Parë Botërore. Bota në atë kohë kishte 1,8 miliardë banorë... 52 vjet më vonë, në vitin 1967, President ishte Lindon Xhonsoni, benzina kushtonte 8.7 centë për litër, në Hënë ende nuk kishte shkelur këmba e njeriut dhe numri i banorëve të planetit ishte 3,5 miliardë, mes tyre edhe Bobby Woo. Ai lindi nga prindër imigrantë kinezë më 20 nëntor 1967 dhe Revista Life e shpalli amerikanin e 200 miliontë e më pas, vazhdoi ta ndiqte në vitet e fëmijërisë së tij. "Rreth meje u bë shumë publicitet kur isha foshnje dhe thuajse gjithshka mbaroi kur shkova në kopësht. Unë fillova ta di këtë fakt kur isha 4 ose 5 vjeç. Gjithmonë e kam menduar këtë si një nder që do të më shoqëronte gjithë jetën prandaj mund të them se, ishte diçka që do ta quaja një ndikim pozitiv në jetën time."

Sot Bobb Woo është avokat dhe jeton në Atlanta të Xhorxhas. President i Shteteve të Bashkuara është tani Xhorxh Bush. Amerikanët paguajnë rreth 68 centë për një litër benzinë, po eksplorojnë Marsin dhe trupa qiellorë përtej sistemit tonë diellor. 34 milionë shtetas amerikanë ose 12 për qind e popullsisë ka lindur jashtë vendit.

Mes popullsisë së botës me 6,5 miliardë banorë, Shtetet e Bashkuara zenë tani vendin e tretë e tretë në botë pas Kinës dhe Indisë. Shkencëtarët parashikojnë se pas 35 vjetësh popullsia e Shtetetve të Bashkuara do të arrijë 400 milionë.

XS
SM
MD
LG