Lidhje

Presidenti Bush paralajmëron Korenë e Veriut që të mos eksportojë armë bërthamore

  • Skot Stërns

Presidenti Bush thotë se do të përdorë të gjitha mënyrat e nevojshme për të mbajtur përgjegjëse Korenë e Veriut, nëse ajo tenton të eksportojë armë bërthamore.

“Në qoftë se kemi informacione zbulimi se Koreja e Veriut po kryen eksport armësh bërthamore, ne do ta ndalojmë dhe ndërkohë do të merremi me anijet ose avionët që transportojnë materiale bërthamore.”

Në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan ABC, presidenti Bush tha se udhëheqësi koreano-verior, Kim Jung Il, duhet ta kuptojë se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të mos e lejojnë Penianin të eksportojë teknologji bërthamore.

“Unë kërkoj që udhëheqësi koreano-verior ta kuptojë se do të mbahet përgjegjës nëse eksporton armë bërthamore ashtu siç po mbahet përgjegjës tani për kryerjen e provës atomike.”

OKB-ja vendosi sanksione ndaj Koresë së Veriut për provën bërthamore të javës së kaluar. Rusia dhe Kina kishin kundërshtuar më parë idenë e sanksioneve. I pyetur nëse Kina është tani plotësisht e vendosur për zbatimin e sanksioneve, presidenti Bush tha se ai ka besim se Pekini pajtohet me qëllimin e një gadishulli korean pa armë bërthamore.

“Kinezët nuk pajtohen plotësisht me kontrollin e anijeve, por nga ana tjetër nëse do të ketë veprimtari të mirë zbulimi, ata do të bashkëpunojnë me ne në këtë drejtim. Ata po kontrollojnë tani mallrat që hyjnë nga kufijtë kinezë.”

Presidenti Bush thotë se nuk është i sigurt nëse këto sanksione do të japin rezultat, por shton se bashkësia ndërkombëtare duhet ta provojë.

Prova bërthamore është shndërruar në një problem për zgjedhjet në Kongresin amerikan muajin e ardhëshëm.

Disa republikanë thonë se ish-presidenti Bill Klinton nuk arriti të zgjidhte këtë kërcënim dhe ndërkohë ndaloi Korenë e Veriut duke arritur një marrëveshje në vitin 1994, ku në shkëmbim të stimujve ekonomikë Koreja e Veriut ndaloi veprimtarinë për zhvillimin e armëve bërthamore, marrëveshje e cila tani u shkel nga Peniani.

Demokratët e opozitës thonë se përparimi i programit bërthamor të Korejsë së Veriut, tregon se presidenti Bush është përqëndruar më shumë se duhet tek lufta në Irak, duke larguar vëmendjen nga Koreja e Veriut.

Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, ndodhet në rajon për t’u këshilluar me aleatët. Ajo thotë se Uashingtoni nuk po mundohet të shkallëzonjë krizën, por se Këshilli i Sigurimit veproi në mënyrë të vendosur duke miratuar rezolutën, e cila thotë se prova bërthamore e Koresë së Veriut është e papranueshme. Koreja e Veriut thotë se sanksionet janë një shpallje lufte. //ze//

XS
SM
MD
LG