Lidhje

Surroi: Statusi i Kosovës duhet të  jetë  i qartë  dhe pa interpretime të dyfishta

  • Laura Konda

Çështja e shtyrjes apo jo të zgjidhjes së statusit të Kosovës ka qënë kohët e fundit në qendër të vëmendjes së politikës në Kosovë. Nga zyrtarët ndërkombëtarë është hedhur ideje e një mundësie shtyrjeje disa javore, ose për dy ose tri muaj. Vetë Kryenegociatori Ahtisari tha dje se ai po punon sipas planit që i ka caktuar Grupi i Kontaktit, pra për ta paraqitur propozimin deri në fund të vitit. Por në të njejtën kohë, zëdhënësja e zotit Ahtisari tha se mandati i zyrës së të dërguarit të posaçëm për statusin është zgjatur deri nga mesi i vitit të ardhshëm. Për të diskutuar mbi këto zhvillime, intervistuam kryetarin e Partisë ORA Veton Surroi për programin “Ditari” .

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, a përbën në të vërtetë shqetësim shtyrja e afatit të statusit?

Veton Surroi: Ne ende nuk po flasim për shtyrje, si delegacion i negociatorëve të Kosovës ne po vazhdojmë punën tonë sipas afateve të parapara. Kemi kërkuar nga zoti Ahtisari, që siç presim nga ai dhe nga Grupi i Kontaktit, po ashtu të respektojnë afatin e dorëzimit të pakos nga ai. Pastaj, natyrisht, rrjedh faza e vendosjes politike qoftë në Grupin e Kontaktit, qoftë në Këshillin e Sigurimit. Por kjo është jashtë procesit të deritanishëm, dmth është pas procesit të deritanishëm.

Zëri i Amerikës: Shtyrjen e afatit të mandatit të zotit Ahtisari, do ta quanit një lajm të mirë, apo jo për Kosovën?

Veton Surroi: Po më mirë do të kishte qenë po ta kishte përfunduar këtë kontratë, me status, por kjo nuk varet prej nesh. Kjo është e qartë se në administratën e Kombeve të Bashkuara, po qe se vazhdon punën, duhet t’i kishte vazhduar kontrata aq sa e kishte edhe deri më sot.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahtisari tha se është tani duke përgatitur propozimin për statusin i cili do t’i paraqitet fillimisht grupit të Kontaktit dhe pastaj OKB-së. A jeni ju te pergatitur per ndonje te papritur nga propozimi i tij, si psh në fushën e decentralizimit, për ndarjen e komunave në Kosovë?

Veton Surroi: Nuk besoj që do të ketë befasi të mëdha, të gjitha dilemat i kemi dëgjuar gjatë tetë muajve të kaluar. Ajo për çka do të angazhohemi në këto muaj, posaçërisht në këtë fazë, pas dorëzimit të materialit, është për qartësi të plotë të statusit të Kosovës. Kosova nuk do të hyjë edhe në një fazë ambiguitetesh, dy-kuptimësish, ne na hyn në punë një status i qartë.

Zëri i Amerikës: Moska ka dërguar herë pas here mesazhe se mund të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit, në rastin se të dyja palët nuk janë të kënaqura nga zgjidhja e satusit të Kosovës. Si është perceptuar ky qëndrim në Kosovë?

Veton Surroi: Ne natyrisht, nuk mund të interpretojmë fjalët e Moskës dhe qëndrimet e tyre, megjithatë, ne mendojmë se statusi i Kosovës, nuk duhet të varet nga e drejat e vetos e askujt, kjo është një çështje e partenritetit të bashkësisë ndërkombëtare dhe e vullnetit të popullit të Kosovës. Në këtë drejtim, mbi këtë vullnet, nuk mendoj që mund të ketë të drejtë të vetos.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, është folur për mundësinë e një rezolute që nuk do ta shprehte hapur pavarësinë, por do t’u krijonte mundësinë shteteve të tjera ta njohin Kosovën si vend të pavarur. Sa e realizueshme është kjo?

Veton Surroi: Nuk mund të hyj në hollësi në atë se çfarë mund të jetë propozimi, apo të ndonjë spekullimi për të ardhmen, por doemos, në periudhën e ardhshme do të thoja se në javët dhe në muajt e ardhshëm, Kosovën e pret një betejë e madhe diplomatike për njohjen e shtetit të pavarur. Çfarëdo që të jetë rekomandimi i zotit Ahtisari, çfarëdo që të jenë procedurat e Grupit të Kontaktit, apo të Këshillit të Sigurimit, megjithatë, akti i njohjes së sovranitetit është e drejtë legjitime e shteteve si të tilla dhe në fund ky do të jetë veprimi.

Zëri i Amerikës: Në grupin negociator të Kosovës ju keni qenë përgjegjës per çështjen e pakicave dhe komuniteteve. Me çfare propozimesh konkrete keni dalë ju per mbrojtjen e pakicave në Kosovë?

Veton Surroi: Ne kemi dalë me një pako të tërësishme masash mbrojtëse, të cilat janë ndër më të avancuarat, nëse jo më të avancuarat në Evropë. Ajo pako është pranuar mirë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian, gjerësish edhe nga UNOSEK-u. Kështuqë nga ai aspekt, boshti kurrizor të themi i këtyre negociatave, që kishte të bënte me komunitetet, ka kaluar pa probleme të mëdha.

Zëri i Amerikës: A janë marrë masa nga qeveria e Kosovës për sigurinë e pakicave?

Veton Surroi: Mund të jenë marrë masa, nuk e di, unë nuk mund të flas shumë gjëra të mira për qeverinë e Kosovës, jo karshi pakicave, por as karshi shumicës, por kjo është një pjesë tek e cila nuk do të hyja.

Zëri i Amerikës: Çështja e Mitrovicës. Çfarë zgjidhjeje mendoni duhet të ketë që t’i jepet fund krizës?

Veton Surroi: Ne kemi propozuar që qyteti të funskionojë si një tërësi të dy komunave të një qyteti. Po presim që ky propozim i yni të elaborohet edhe më tutje, aty kemi nevojë për prani më të theksuar sigurie të forcave ndërkombëtare, deri në arbitrazh të pranisë civile ndërkombëtare. Mitrovica, siç e dini, nuk është si çdo qytet tjetër në Kosovë, është një qytet i ndarë, një qytet që ende përjeton konfliktin, ose frytet e konfliktit, të themi ashtuë; kështuqë paqja duhet të mbërrijë më në fund edhe në Mitrovicë, edhe rehatia edhe drejta për punë dhe për lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se keni rezerva për qeverinë e Kosovës. Cilat do të thonit se do të jenë sfidat e saj në fushën ekonomike?

Veton Surroi: Sfida e saj elementare është që të funskionojë si qeveri, pasi nuk e ka mbërritur këtë punë; jemi duke folur për një adminsitratë e cila duhet t’i përmbushë, ose mund t’i përmbushë nevojat e qytetarëve të Kosovës. Një pjesë e kësaj qeverie është angazhuar për të mbushur nevojat e veta personale.

Zëri i Amerikës: Është folur për korrupsion në radhët e qeveritarëve në Kosovë. Sa shqetësuese janë këto akuza për mbarëvajtjen e procesit?

Veton Surroi: Janë shumë shqetësuese dhe çdo herë që jemi kyçur në procesin negociator, dhe çdo herë kur kemi ngritur çështjen e pavarësisë, na është thënë se si mund të jeni të pavarur, në se nuk mund t’i rregulloni çështjet brenda jush, në një shtet në të cilin ministrat qartazi, ose disa ministra qartazi merren me aktivitete jo të ligjshme dhe favorizuese për veten e tyre. Por ne kemi theksuar se pavarësia duhet të krijojë lidhmërinë mes qytetarit, përgjegjësinë mes qeveritarit dhe qytetarit dhe shpresojmë që ky do të jetë edhe epilogu. Për fat të keq, për shkak të funskionimit të dobët të Kosovës, Kosova e ardhshme e pavarur do të ketë një ndërhyje burkur të madhe të bashkësisë ndërkombëtare në përditshmërinë e saj, qoftë në sektorin e sigurisë, ashtu edhe në disa fusha të tjera.

Zëri i Amerikës: A do të ketë, mendoni kompetenca ekzekutive, kjo fuqi drejtuese e Kosovës?

Veton Surroi: Unë mendoj se do të ketë edhe fuqi ekzekutive, posaçërisht në fushën e rendit dhe të sigurisë.

Zëri i Amerikës: Çfarë çështjesh konkrete do të ngrini këtë herë në Washington?

Veton Surroi: Për të transmetuar brengat e delegacionit tonë në këtë proces dhe për të dhënë një mesazh, i cili përmbyll ato brenga. Çështja e parë është se statusi i Kosovës duhet të jetë i qartë, nuk mund të pranojmë ambiguitete, interpretime të dyfishta, pra se si do të duket rrjedha; çështja e dytë, se Mitrovica kërkon një vëmendje të veçantë dhe këtë vëmendje duhet ta shohim tek procesi deri tek statusi, por edhe në pjesën e implementimit dhe çështja e tretë, se çfarëdo përpjekje për shtyrje e të tjera, nuk do të thotë dhe të drejtën që të hapet procesi negociator në një kanal të tretë; ndërsa në momentin kur do të dorëzohet pakoja e zotit Ahtisari, ne do të konsiderojmë se ajo fazë e negociatave ka mbaruar, ka hyrë në nivelin e vendosjes politike, në Këshillin e Sigurimit dhe në Grupin e Kontaktit.

XS
SM
MD
LG