Lidhje

Rixh: Dialogu është i nevojshëm për çështje me rëndësi kombëtare për Shqipërinë


Kur ish-Sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare u shfaq muajin e kaluar në Tiranë në krah të kryeministrit Berisha, si këshilltar i qeverisë, nuk u fol shumë për hollësitë e rolit të tij. Tani në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës Tom Ridge shpjegon misionin e tij duke thënë se me përvojën dhe njohjet e tij do të përpiqet të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e integrimit Euro-Atlantik. Zoti Ridge vlerëson synimet fisnike të qytetarëve të Shqipërisë dhe thotë se do të përpiqet të nxisë bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ridge çfarë ju bëri që të pranoni rolin si këshilltar i qeverisë së Shqipërisë?

Tom Rixh: Kur lashë punën si zyrtar i qeverisë pas më shumë se 20 vjetësh, një nga gjërat që doja të bëja ishte që të vazhdoja shërbimin publik në një rrugë të ndryshme. Dhe kur gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri u takova me kryeministrin dhe disa nga ministrat, pashë energjinë dhe entuziazmin dhe aspiratat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, për marrëdhëniet me fqinjët dhe Shtetet e Bashkuara, ishte diçka që më tërhoqi shumë. Dhe është kënaqësi për mua që të ndihmoj qeverinë e Shqipërisë, parlamentin dhe Këshillin e Ministrave që të arrijnë këto synime fisnike dhe shumë të rëndësishme. Shqipëria është një vend me histori të madhe dhe ndoshta deri në vitin 2012, në 100 vjetorin e pavarësisë, puna ime me qeverinë do të sjellë një Shqipëri të re, të fortë dhe të begatë. Për dikë që beson tek shërbimi publik dhe demokracia, Shqipëria është një shans i mirë për të punuar me njerëzit. Ne kemi pikëpamje dhe vlera të përbashkëta.

Zëri i Amerikës: A do të jetë pozicioni juaj më shumë i ngjashëm me rolin e një lobisti për qeverinë e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, apo më praktik në terren si këshilltar për qeverinë?

Tom Rixh: Unë nuk do të jem në rolin e një lobisti për Shqipërinë tek qeveria amerikane. Qeveria ka dhe do të ketë njerëz që ta bëjnë një gjë të tillë. Mendoj se ky rol do të përkufizohej më mirë si këshilltar strategjik. Si ish-Sekretar për Sigurinë Kombëtare unë mund ta ndihmoj Shqipërinë në drejtim të sigurisë të kufijve dhe porteve. Unë kam qenë guvernator i një shteti të madh si Pensilvenia ku kemi përballuar çështje me shumë prej të cilave siç vuri në dukje kryeministri, Shqipëria po përballet aktualisht: Si të përmirësojmë jetesën, cilat programe sociale na duhen në këtë drejtim, si të bëhet Shqipëria një aktor më aktiv me komunitetin ndërkombëtar përmes turizmit, si të krijojmë një ambjent të përshtatshëm për rritje ekonomike në mënyrë që të luftojmë papunësinë. Pra do të jetë një rol konsultativ, por jo lobizëm.

Gjithashtu duhet të hartojmë planet për të ardhmen duke punuar me kryeministrin dhe qeverinë dhe në vizitat e ardhshme, në bashkëpunim edhe me parlamentin, të përcaktojmë përparësitë dhe me lidhjet që unë kam në Shtetet e Bashkuara, me njerëz që gjithashtu janë të interesuar që Shqipëria të ketë sukses të punojmë në drejtim të arsimit, të aftësive për të luftuar korrupsionin, për të krijuar transparencë në sistemin politik.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se në vizitat e ardhshme në Shqipëri do të keni takime dhe kontakte edhe me përfaqësues të parlamentit. A do të keni kontakte me përfaqësues të opozitës në parlament dhe cili do të jetë roli juaj në këtë rast?

Tom Rixh: Në bazë të përvojës sime si zyrtar i zgjedhur, megjithëse partitë e ndryshme mund të kenë mosmarrëveshje për disa çështje, ka disa fusha për të cilat duhet të biem dakord për të arritur një synim më të rëndësishëm. Sigurisht që unë punoj për qeverinë e Shqipërisë, por nga ana tjetër është e qartë se ka edhe pikëpamje të tjera dhe shpresoj që në vizitat e ardhshme të kem një mundësi përmes zyrës së kryeministrit të kem një takim me udhëheqës të opozitës. E kam parë sesa debate poilitike ka atje por pikëpamja ime është se një vend që ka një zë të përbashkët për disa çështje, mund t’i zgjidhë ato shumë më shpejt dhe efektivisht. Një nga këto raste ishte kur parlamenti votoi në favor të konventës së OKB-së kundër korrupsionit. Si partia e kryeministrit, edhe qeveria e kanë kuptuar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një nga kushtet për anëtarësim në NATO dhe BE. Për disa nga këto çështje do të më pëlqente të mendoja që nëse ka mosmarrëveshje që mund të zgjidhen unë mund të luaja një rol për të ndërmjetësuar, pasi unë e di se të gjitha palët duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, duan të mirën e Shqipërisë. Pra nëse mund të gjenden disa të përbashkëta në këto drejtime unë do të përpiqesha që të ndihmoja për ta nxitur një gjë të tillë.

Unë kam qenë republikan gjithë jetën dhe anëtar i Kongresit për 12 vjet dhe në atë kohë partia jonë ishte në pakicë, kështuqë e kuptoj se çdo të thotë të jesh në opozitë. Por disa nga arritjet më të mira në atë kohë ishin ato të realizuara duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit palës tjetër dhe krijuar partneritete për çështje të veçanta me kolegët demokratë. Nëse mundem të ndihmoj në këtë drejtim, unë do të jap kontributin tim.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë sfidat kryesore me të cilat përballet Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit në institucionet euroatlantike?

Tom Rixh: Është shumë e qartë nga bisedat e mia me njerëz që kanë lidhje me NATO-n dhe Bashkimin Evropian se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga përparësitë kryesore. Shpresoj që forcat politike janë të një mendjeje për nevojën kritike për të bërë një luftë të ashpër në këtë drejtim dhe për të krijuar një Shqipëri të re me transparencë, ku integriteti i qeverisë dhe zyrtarëve të jetë i padiskutueshëm, ku korrupsioni i mëparshëm të zhduket dhe krimi i organizuar të luftohet. Ka nevojë për një sistem gjyqësor dhe shtet ligjor të fortë. Por përsëri këto hapa duhet të ndërmerren në mos jo me përpjekje të përbashkëta, me një mbështetje të fortë pavarësisht nga përkatësia partiake. Këto reforma duhen realizuar për të arritur këto synime kombëtare.

Pasi të punoj për disa kohë me sugjerime për ta bërë qeverinë më efektive, do të thoja se një nga drejtimet e tjera do të ishte infrastruktura dhe në këtë drejtim energjia dhe transporti që duhet të zhvillohen në mënyrë që të rritet ekonomia. Duhen hartuar politika për taksa, stimuj për tërheqjen e kapitalit. Qoftë për integrimin në NATO dhe BE, por edhe për zhvillimin e vendit këto synime duhet realizuar dhe shkojnë së bashku. NATO-ja dhe BE-ja duan një Shqipëri të zhvilluar.

Zëri i Amerikës: Ju folët për rolin tuaj si këshilltar i qeverisë shqiptare, por a do ta përdorni ju ndikimin tuaj në mbështetje të Shqipërisë edhe në kontaktet që keni këtu në Shtetet e Bashkuara, apo në institucionet euro-atlantike për të ndihmuar Shqipërinë në integrimin e saj?

Tom Rixh: Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara dhe ekipi i saj do të jenë rruga kryesore e bashkëpunimit mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare për realizimim e integrimit, gjë që e dëshirojnë si Shqipëria, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara. Por unë kam disa miq që kanë punuar brenda NATO-s dhe në lidhje me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, por edhe duke folur me ta jo zyrtarisht për rolin tim në Shqipëri dhe jam në gjendje që të marr disa mendime prej tyre që mund të jetë i dobishëm. Por rolin kryesor e ka ambasadorja dhe ekipi i saj: ata janë shumë pro-shqiptarë, e kuptojnë që vendi ka aspirata, synime që ambasada do që vendi t’i realizojë dhe po bëjnë të pamundurën të ndihmojnë për realizimin e tyre. Por diplomacia bën aq sa mundet: janë reformat e brendshme ato që kanë rëndësi. Të gjithë ambasadorët e botës, konsultat tona, Departamenti i Shtetit, e gjithë përkrahja për integrim mund të të çojnë deri diku, por sfida e vërtetë janë reformat e brendshme dhe këto duan të shohin këto organizata. Dhe roli im ky shpresoj të jetë më shumë, për realizimin e ndryshimeve, sesa roli i një avokati.

XS
SM
MD
LG