Lidhje

Porti i Durrësit po rindërton kalatat dhe sistemet e sigurisë


Kalata lindore e Portit Detar të Durrësit po rindërtohet me një fond rreth 1,2 milionë usd sipas projekteve që synojnë risistemimin e sektorëve në hapësirën portuale. Këto punime, që do të përfundojnë brenda vitit 2006, do ta shndërrojnë këtë kalatë në një zonë të përpunimit të mallrave, duke i hapur kështu rrugën investimeve të reja në terminalin e udhëtarëve.

"Aktualisht në Portin e Durrësit po realizohen punime në kalatën lindore me qëllim spostimin atje të operacioneve të mallrave, dhe për të bërë të mundur zbatimin e projektit të terminalit të pasagjerëve që presim të fillojë vitin që vjen. Tani shumë shpejt do të fillojnë procedurat për parakualifikimin e kompanive për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve. Është një projekt shumë ambicioz; ndërtimi i një terminali të ri dhe modern me një vlerë rreth 22 milionë euro" - thotë Drejtori i Përgjithshëm i Portit të Durrësit, Eduard Ndreu.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Europiane e Investimeve (BEI) kanë marrë përsipër financimin e një projekti 27 milionë usd për ndërtimin e një terminali krejt të ri për udhëtarët. Zoti Ndreu thotë se projekti është gati dhe punimet që do të fillojnë në 2007 do të zgjasin dy vjet.

"Porti po kryen procese të mëdha të ndryshimit jo vetëm në fushën infrastrukturore, por edhe në fushën e sigurisë. Kemi planifikuar që të realizojmë ndarjen fizike të zonave të sigurisë brenda territorit të portit, si edhe sistemin e vëzhgimit dhe monitorimit me kamera të gjithë hapësirës së portit. Zonat e sigurisë janë zonat që do të mundësojnë ndarjen fizike të pjesëve të portit ku kryhen procedura administrative nga kalatat ku kryhen procedura të përpunimit të anijeve. Kjo bëhet për të garantuar eliminimin e akteve terroriste dhe trafiqeve. Besojmë që këto zona së bashku me sistemin e monitorimit do të bëjnë të mundur marrjen e informacioneve të detajuar për cdo person dhe për cdo mjet që lëviz në port" - thotë Drejtori i Përgjithshëm i Portit të Durrësit, Eduard Ndreu.

Porti Detar i Durrësit është porti më i madh i vendit. Aty përpunohen 3 milionë ton mallra dhe 700 mijë udhëtarë cdo vit. Investimet e reja pritet të zgjerojnë më tej kapacitetet e tij përpunuese.

XS
SM
MD
LG