Lidhje

SHBA: Shtypi etnik që i shërben komuniteteve të imigrantëve


Larmia e ngjyrës së lëkurës dhe theksi i ndryshëm i gjuhës, e bëjnë një darkë çmimesh për Shoqatën e Shtypit të Pavarur, të duket më tepër si një festë e punonjësve të OKB-së, sesa si festimi i arritjeve të shtypit etnik, si dhe të gazetave dhe revistave në gjuhë të huaja që informojnë komunitetin e imigrantëve në Shtetet e Bashkuara.

Andrju Uajt, një nga themeluesit e Shoqatës së Shtypit të Pavarur, thotë se divizioni i shtypit etnik ka gjetur një strehë të natyrshme në Nju Jork, ku 40 përqind të popullsisë ka lindur jashtë vendit.

“Nju Jorku është mahnitës. Popullsia është rritur me 1 milionë gjatë 12 vjetëve të fundit, shumica e të cilëve vijnë nga vende të ndryshme të botës. Sa më shumë të mbështesim shtypin etnik aq më i lehtë do të jetë integrimi i tyre.”

Sipas Antoni Avinkulah, ish-redaktorit të së përjavshmes Filipino Express, në Nju Xhersi, shumë artikuj të shtypit etnik ofrojnë ndihmë praktike për imigrantët e sapo-ardhur, për t’u adoptuar më lehtë në jetën amerikane.

“Një nga qëllimet e shkrimeve në komunitetin filipinas, është përfitimi i vetë komunitetit, ku të kërkojnë punë, ku të gjejnë banesa më të lira dhe ku mund të gjejnë njerëz të besueshëm nëse kërkojnë të blejnë një makinë. Fillimi është i vështirë dhe gjuha është një pengesë.”

Leximi i gazetës në gjuhën e origjinës mund të përfaqësojë një sfidë për ata që nuk kanë qenë të shkolluar në vendin e tyre. Uenxhi Dong, e cila shkroi për gazetën e respektuar të Hong Kongut, Ming Pao, shpjegon.

“Lexuesit në Hong Kong, janë profesorë ose studentë universitetesh, ndërsa këtu shumë imigrantë të rinj nuk kanë nivele të larta shkollimi, kështu që ne duhet t’u adoptohemi këtyre kushteve.”

Por sfidat e shumta me të cilat përballen imigrantët mund të përfaqësojnë një përgjegjësi për gazetarët të cilët mundohen të informojnë dhe ndihmojnë komunitetin.

Një nga këto raste është gazetarja Eva Kern, fituese e një çmimi me një gazetë etnike polake. Ajo u mundua t’i përgjigjej komunitetit për problemin e përfitimeve nga sigurimet shoqërore për imigrantët e paligjshëm.

“Në fillim detyra ime ishte të informoja njerëzit mbi ndryshimin e ligjit. Për një periudhë të gjatë imigrantët pa dokumenta mund të punonin ilegalisht dhe për sa kohë që paguanin taksat për sigurimet shoqërore ata përfitonin pension kur ktheheshin më vonë në Poloni. Tani kjo nuk është më e mundur.”

Sot ka më shumë se 1 mijë gazeta dhe revista, të cilat u shërbejnë vetëm komuniteteve etnike dhe me origjinë të huaj anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Me një nivel të lartë rekord të imigracionit, i cili vazhdon të rritet, në Shtetet e Bashkuara pritet të rritet si forca edhe larmia e shtypit në gjuhë të huaja. //ze//

XS
SM
MD
LG