Lidhje

Repishti: Evropa pret nga Shqipëria demaskimin e krimeve komuniste


Para disa ditësh në Parlamentin e Shqipërisë u rindezën debatet për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Organizata që përfaqësojnë ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist e kërkojnë një proces të tillë si një nevojë për të zbardhur abuzimet e të drejtave të njeriut gjatë këtij regjimi dhe për të garantuar një sistem të shëndoshë demokratik për Shqipërinë. Profesor Sami Repishti komentoi mbi këtë temë në intervistë për Ditarin.

Zëri i Amerikës: Profesor Repishti, është me vend të përmendim që sot mbushen 60 vjet që nga arrestimi juaj nga regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1946. Çfarë nënkupton për ju vetë dhe për të tjerë që kanë vuajtur fatin tuaj, procesi i hapjes së arkivave të regjimit komunist?

Sami Repishti: Unë besoj se hapja e dosjeve në Shqipëri është e nevojshme, por është një proces që duhet studjuar shumë mirë sepse do të hapë më shumë plagë se sa do të shërojë. Nuk ka dyshim që krimet komuniste duhet të dalin në skenë. Unë mendoj se hapi i parë që duhet të marrë qeveria shqiptare është dokumentimi i krimeve komuniste në Shqipëri. Unë, për vete, kam shkruar dy libra lidhur me vuajtjet e mia por janë 27 mijë të burgosur politikë që kanë kujtimet e tyre, janë 27 mijë volume që do të përshkruanin krimet komuniste në Shqipëri. Është e mira që këto gjëra duhet të dalin në shesh, prandaj krijimi i një komisioni për dokumentimin e krimeve komuniste, sipas mendimit tim, duhet të jetë hapi i parë, pastaj do të vijë çështja e dosjeve, pasi të jetë konfirmuar zyrtarisht ekzistenca konkrete e krimeve komuniste në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Ku mendoni se duhet të përqëndrohet procesi i ndriçimit të së kaluarës, tek personat publikë që mbajnë apo kanë mbajtur poste qeveritare ose politike, apo të përfshijë edhe të gjithë ish-informatorët dhe operativët, sado e kufizuar të ketë qenë përfshirja e tyre?

Sami Repishti: Unë do të thoja atë që përsëriti ish-Sekretarja e Shtetit, Ollbrajt, për serbët se të gjithë ata që kanë dhënë urdhëra dhe kanë zbatuar krimet janë përgjegjës. Krimi nuk mund të konsiderohet vetëm në formë abstrakte. Ai që ka bërë krimin, ose ai që ka dhënë urdhër për krimin, ose ai që ka zbrazur pushkën për krimin, janë të gjithë përgjegjës. Krimi nuk mund të jetë anonim; krimi ka një emër dhe unë kërkoj që ky emër të bëhet publik.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka përpara sfida të mëdha në përpjekjet për integrim euro-atlantik dhe për miratimin dhe zbatimin e reformave të nevojshme për të realizuar këto ambicje. Një proces mbi abuzimet gjatë regjimit komunist do të angazhonte energji të shumta politike dhe institucionale. A mendoni se rezultati përfundimtar e justifikon një çmim të tillë dhe përse?

Sami Repishti: Absolutisht po! Për mendimin tim Shqipëria gjendet sot në një moçal moral; Shqipëria nuk e ka gjetur veten akoma; Shqipëria nuk ka përballuar të kaluarën. Nëse ne nuk përballojmë të kaluarën, sado e hidhur që të jetë ajo, sado e keqe që të jetë ajo, shoqëria shqiptare nuk do të përmirësohet kurrë. E keqja duhet zhdukur. Një krim që nuk demaskohet, një krim që nuk dënohet është një krim që vazhdon. Kjo situatë do të vazhdojë për shumë kohë. Frika e dosjeve që kanë shfrytëzuar ish-komunistët për frikësimin e elementave që duan të shfaqen publikisht, ose që duan të merren masa kundër krimit komunist në Shqipëri, janë edhe një tjetër tregues se shoqëria shqiptare është akoma e sëmurë. Shoqëria shiptare duhet të shërohet. Për fatin e mirë ne kemi shembullin evropian. Kemi rastin e fundit të Rezolutës 1481 që u votua në shkurt 2006, e cila kërkon dokumentimin e krimeve komuniste dhe demaskimin e tyre. Shqipëria duhet të ndjekë shembullin evropian. Unë e konsideroj këtë rezolutë si një thirrje që Evropa u bën ish-vendeve komuniste që të bashkohen me Evropën e qytetëruar, që të bashkohen me drejtimin e përgjithshëm që shihet sot në Evropë, që është kultura e drejtësisë, kultura e jurisprudencës. Nuk mund të kalohen gjëra të tilla në heshtje, ka 6 mijë e ca të vdekur që janë pushkatuar për arsye politike në Shqipëri, më shumë se 27 mijë të plagosur, ka 12 mijë e 500 familje që kanë kaluar vite e vite të gjata nëpër kampe përqëndrimi, vetëm sepse babai, ose gjyshi kanë qenë ballistë, ose kanë qenë zogistë. Kush i ka dhënë këto urdhëra, kush e ka bërë këtë ligj, kush e ka zbatuar? Duhet t’i dimë emrat e tyre, jo aq shumë sa për ndëshkim, sesa për preventivë (lexo: parandalim), në mënyrë që komunizmi të mos kthehet më kurrë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, e cilësoi debatin në Parlament për hapje dosjesh si një demagogji dhe lojë politike, sepse, siç tha ai, dosjet janë zhdukur dhe ekzistojnë vetëm regjistra. Nëse dosjet nuk ekzistojnë, atëherë si duhet zhvilluar procesi që Shqipëria tëë ndriçojë këtë të kaluar të errët?

Sami Repishti: Në qoftë se zoti Gjinushi thotë se dosjet janë shkatërruar, ai duhet ta dijë edhe se kush i ka shkatërruar. Atëherë qeveria shqiptare duhet të marrë masa të dënojë ata që i kanë shkatërruar, sepse dosjet janë dokumente zyrtare e sikurse e dini, ekziston një ligj që ndalon shkatërrimin ose dëmtimin e dosjeve të arkivave shtetërore. Në qoftë se ato nuk janë shkatërruar, atëherë duhen gjetur. Po unë dua të them diçka, nga eksperienca ime personale. Gjatë bisedës sime me një ish-oficer sigurimi në burgun e Shkodrës, ai më ka treguar se sigurimi i Shqipërisë ka 2 kategori dosjesh: e para është dosja e veprimtarive të Sigurimit të Shtetit; e dyta është dosja e elementëve të familjeve të persekutuara, të cilët janë shfrytëzuar nga regjimi komunist, nën presion, që të bëhen informatorë. Dosja e parë, sipas mendimit të oficerit komunist, është ajo që do të shkatërrohet menjëherë, në rast të një situate të turbullt në Shqipëri, në mënyrë që ne të mos të dimë atë që ka bërë komunizmi në Shqipëri e që krimet e komunizmit të harrohen fare. Kurse dosjen e dytë, tha ai, do ta ruajmë që kur ta hapni ju të ngatërroheni njëri me tjetrin sepse do të gjeni pjesëtarë të familjeve tuaja që janë të implikuar në informacionin e sigurimit. Unë besoj se të gjitha këto janë taktika frikësuese që nuk duhen marrë parasysh. Mos harroni se edhe ata që janë detyruar të jenë agjentë të regjimit komunist janë viktima të presionit dhe shtypjes, të frikës së madhe që ka krijuar sigurimi; janë familje të shkatërruara, janë çifte të ndara, janë prindër që janë larguar nga fëmijët e tyre, janë fëmijë që kanë mbetur pa shkollë. Të gjitha për arsye se një pjesë e mirë e popullit shqiptar ka refuzuar të nënshtrohet. Ata që janë nënshtruar duhen konsideruar viktima, jo fajtorë, sipas mendimit tim.

Zëri i Amerikës: A ka rrezik që në mungesë dosjesh dhe dokumentacioni të saktë, një proces i tillë të shndërrohet në gjueti shtrigash dhe hakmarrje politike?

Sami Repishti: Ka mundësi që të ngjasë një gjë e tillë, dhe po të fillojë dokumentimi i krimeve komuniste, unë e parashikoj një mundësi të tillë, që njerëz të bëhen edhe viktima të gjuajtjes së shtrigave, siç e quani ju. Por dokumentimi i krimeve komuniste ka dy burime, nuk janë vetëm dosjet. Janë edhe dëshmitarët okularë, janë ata që kanë vuajtur, ata që e kanë ngrënë në kurriz drurin e sigurimit. Të gjithë ata, megjithëse shumica e tyre kanë vdekur, por të gjithë ata që janë gjallë sot, janë në gjendje të japin dëshmi para gjykatësve ose para një komisioni të caktuar dhe dokumentimi i dëshmive okulare të ish-të burgosurve politikë do të përbënte një material të mjaftueshëm që të mundësojë organet e drejtësisë ose organe të tjera që mund të krijohen nga qeveria, ta deklarojnë partinë komuniste si një parti kriminale. //ad//

XS
SM
MD
LG