Lidhje

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka ultimatum për Irakun


Presidenti Bush ka zhvilluar disa takime kohët e fundit me këshilltarët e tij më të lartë ushtarakë dhe të sigurisë kombëtare. Por zyrtarët thonë se nuk duhet t’i kushtohet rëndësi numrit të shumtë të takimeve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, thotë se nuk pritet ndonjë njoftim dramatik i shpejtë, megjithëse ai pohon se janë bërë vazhdimisht ndryshime për të

“A ka ndryshime të rëndësishme në politikën tonë ndaj Irakut? – Përgjigjja është jo”.

Gjatë takimit me gazetarët zëdhënësi Snou tha se zyrtarët amerikanë të koalicionit dhe ata irakianë, kanë disa muaj që takohen në Bagdad për të vlerësuar situatën dhe për të hartuar një listë me strategji, ose objektiva. Gazeta Nju Jork Tajms, njoftoi ditën e djelë se pjesëmarrësit amerikanë po hartojnë disa plane specifike, madje po paralajmërojnë për ndëshkime të mundëshme nëse nuk arrihen objektivat. Zoti Snou tha se një pjesë e këtij raporti i kalon kufijtë, duke shpjeguar se Shtetet e Bashkuara nuk vendosin ultimatume.

"Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se të dyja palët janë duke përveshur mëngët, duke shqyrtuar të gjitha mënyrat praktike në të gjitha nivelet. Irakianët gjithashtu kanë hartuar strategji në të mirë të përparimit të tyre politik dhe ekonomik”.

Zëdhënësi Snou u pyet nëse administrata e presidentit Bush është e kënaqur me përpjekjet e qeverisë së kryeministrit Nuri Al-Maliki, për të shkatërruar grupet kryengritëse dhe për të ulur nivelin e dhunës. Zoti Snou theksoi se situata është e nderë dhe shtoi se Shtëpia e Bardhë është e kënaqur se udhëheqësit irakianë po e marrin seriozisht situatën.

“Mendoj se vihet re një përpjekje më agresive nga ana e qeverisë irakiane, sepse kryeministri kupton rëndësinë jetike të pajtimit. Konferenca e tretë mbi çështjen e pajtimit kombëtar do të mbahet më 4 nëntor”.

Ndërkohë dy javë përpara zgjedhjeve të Kongresit në Shtetet e Bashkuara, janë intensifikuar bisedimet mbi një ndryshim të mundëshëm të taktikave amerikane në Irak. Pakënaqësia e votuesve me luftën në Irak me sa duket ka ndihmuar demokratët e opozitës, madje duke bërë që edhe disa republikanë të bëjnë thirrje për një ndryshim të politikës në Irak.

Senatori Xhozef Baiden, i shtetit Dellëuer, ka mundësi të marrë drejtimin e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, nëse demokratët rimarrin kontrollin e Senatit. Gjatë një telekonference me gazetarët ai tha se ka disa shenja për ndryshim nga Shtëpia e Bardhë, por në qoftë se republikanët do të ruajnë kontrollin e Kongresit, nuk do të ketë një ndryshim kursi.

“Nëse republikanët kanë një plan të ri, atëherë ata duhet ta bëjnë të njohur, gjë që më bën të besoj se nëse ata ruajnë shumicën në Kongres, nuk kanë me të vërtetë ndonjë qëllim për të bërë ndryshime thelbësore në politikë”.

Sondazhet tregojnë se Iraku është faktori më i madh dhe i vetëm që përmendet nga votuesit 2 javë përpara zgjedhjeve të Kongresit. Në një sondash të kohëve të fundit të kryer nga revista Newsweek, 34 përqind e pjesëmarrësve thanë se kanë besim tek republikanët për një punë më të mirë mbi çështjen e Irakut, ndërsa 46 përqind zgjodhën demokratët.

XS
SM
MD
LG