Lidhje

Britania dhe Irlanda: Kufizime imigrantëve nga Bullgaria dhe Rumania


Britania dhe Irlanda thonë se do të marrin masa për kufizimin e fluksit të imigrantëve nga Bullgaria dhe nga Rumania, pasi të dyja këto vende të Evropës Lindore të anëtarësohen zyrtarisht në Bashkimin Evropian, në janar.

Sekretari i brendshëm britanik, Xhon Rid, tha se nevojat e Britanisë do të përcaktojnë numrin e njerëzve që do të pranohen nga këto dy vende. Ai tha se në bazë të politikës së re, numri i punëtorëve me kualifikim të ulët që do të hyjnë në Britani do të kufizohet në rreth 20 mijë.

Shumicës së punëtorëve të kualifikuar do t’i nevojiten leje pune dhe do të duhet të provojnë se kryejnë punë që nuk preferohen nga vendasit. Autoritetet në Londër dhe në Dublin thonë se kufizimet për imigrantët do të rishikohen çdo vit.

Në përgjigje të këtyre politikave, Bullgaria tha se do të shikojë mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve reciproke ndaj Britanisë, Irlandës, apo ndonjë vendi tjetër evropian që nuk i pranon bullgarët dhe rumunët në tregjet e tyre të punës. Ndërsa Rumania tha se do të përpiqet që ky kufizim të hiqet sa më shpejt.//lk

XS
SM
MD
LG