Lidhje

Zgjedhjet për në kongresin amerikan dhe politika në Irak

  • Xhim Malon

Në një telekonferencë me gazetarët, senatori Xhozef Baidën, i shtetit Dellëuer, një zë i njohur në politikën e jashtme, u bëri thirrje kolegëve të tij demokratë t’i shndërrojnë zgjedhjet e 7 nëntorit, në një referendum mbi luftën në Irak.

“Mendoj se situata në Irak po arrin kulmin dhe për ne nuk ka mbetur shumë kohë për të marrë disa vendime të rëndësishme për të shpëtuar situatën."

Zoti Baiden thotë se marrja e kontrollit të të dyjave dhomave të Kongresit nga demokratët do t’i hapte rrugën një përpjekjeje dypartiake për të detyruar ndryshime në politikën e administratës së presidentit Bush në Irak.

“Në qoftë se republikanët do të ruajnë kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit, mendoj se presidenti Bush, nën-presidenti Çeni dhe sekretari i mbrojtjes, Ramsfeld, do ta konsiderojnë këtë fitore si miratim dhe do të vazhdojnë të njëjtën politikë në Irak.”

Zoti Baiden thotë se disa kolegë republikanë kanë shprehur interes mbi strategjitë e reja në Irak, por nuk pranoi të identifikonte ndonjërin prej tyre.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, thotë se administrata e presidentit Bush po largohet nga politika e ruajtjes së kursit në Irak duke përshtatur vazhdimisht taktikat me sfidat në terren.

Presidenti Bush foli kohët e fundit mbi këtë problem gjatë një konference shtypi.

“Ruajtja e kursit është vetëm një pjesë e së vërtetës. Qëndrimi im është ruajtja e kursit nëse jep rezultat dhe nëse jo, kursi ndryshon. Ruajtja e kursit gjithashtu do të thotë të mos largohemi nëse nuk përfundon misioni dhe ne do ta përfundojmë atë me sukses.”

Sondazhet e kohëve të fundit tregojnë se amemrikanët janë të pakënaqur me politikën e presidentit Bush në Irak, në një raport 2 me 1, vetëm 2 javë përpara zgjedhjeve për në kongres.

Karlin Bouman nga Instituti Amerikan Enterprise, thotë.

“Amerikanët nuk menduan kurrë se do të ishte e lehtë, por mendoj se ata janë lodhur nga fakti se situata nuk duket se po përmirësohet.”

Presidenti Bush dhe shumë nga aleatët e tij republikanë vazhdojnë ta cilësojnë luftën në Irak si frontin qëndror të luftës kundër terrorizmit, strategji e cila pati sukses në zgjedhjet e vitit 2004.

Në zgjedhjet për anëtarët e Kongresit shpesh faktorët ndikues janë problemet lokale, por sipas analistëve këtë vit mund të jetë ndryshe për shkak të situatës në Irak.

Demokratëve u nevojiten 15 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 6 vende në Senat, për të marrë kontrollin e Kongresit, për herë të parë që nga viti 1994. //ze//

XS
SM
MD
LG