Lidhje

Bush: Dhuna në Irak, shqetësim serioz


Ndërsa numri i të vrarëve mes trupave amerikane në Irak ka ardhur duke u shtuar dhe ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë nga zgjedhjet për në Kongres, Presidenti Bush paraqiti sot argumentet se përse duhet të vazhdojë angazhimi amerikan në Irak. Presidenti Bush ritheksoi sot gjatë një konference shtypi vendosmërinë për fitore në Irak.

Presidenti tha se ai është i shqetësuar nga numri i humbjeve mes trupave amerikane dhe e ka të qartë se shumë amerikanë nuk janë të kënaqur me gjendjen në Irak. “Pakënaqësia nuk duhet lejuar të kthehet në zhgënjim rreth synimit të kësaj lufte.” Gjatë një konference shtypi që zgjari rreth një orë, Presidenti u shpreh me tone të zymta rreth gjendjes në Irak, duke vënë në dukje si përparimin e arritur atje, por edhe hapat pas. Megjithatë, ai theksoi përsëri rëndësinë e këtij misioni duke shtuar se konflikti në Irak është jetik për sigurinë e Amerikës: “Në se misioni në Irak nuk do të ishte kritik për sigurinë e Amerikës, unë do t’i sillja trupat në atdhe që nesër.” Presidenti tha se afati për t’u tërhequr nga Iraku, siç është sugjeruar nga kundërshtarët e tij politikë, nuk mund të jetë një prej alternativave. Por ai theksoi rëndësinë e përcaktimit të disa standarteve, ose objektivave që duhen plotësuar.

Presidenti tha se qeveria irakiane e Kryeminsitrit Nuri al-Maliki, duhet të ndërmarrë disa masa për të ulur nivelin e dhunës, duke e bërë të qartë se fati i Irakut, në fund të fundit, është në duart e udhëheqësve të tij. “Në fund të fundit, do të jenë populli irakian dhe qeveria e tij që do të marin vendimet e vështira, por të nevojshme për të zgjidhur problemet.” Po gjatë ditës së sotme, kryeministri irakian Maliki me tone të nervozuara i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të mos caktojnë afate se kur mund t’i jepet fund dhunës.

Presidenti Bush tha se ai e kupton se sa e vështirë është detyra e kryeministrit Maliki. “Ne po u ushtrojmë trysni udhëheqësve irakianë të ndërmarrin masa. Po ua bëjmë të qartë se durimi i Amerikës nuk është i pafund. Por nga ana tjetër, ne i kuptojmë sfidat e vështira me të cilat ndeshen udhëheqësit irakianë dhe nuk do t’u bëjmë presion më shumë se ç’mund të përballojnë.” Por Presidenti e bëri të qartë se taktikat e Amerikës në Irak po ndryshojnë me kalimin e kohës, ashtu siç kanë ndryshuar edhe taktikat e armikut.

Presidenti, i cili më parë, për të cilësuar politikat e tij ndaj Irakut, përdorte shpesh termin “nuk do të ndryshojmë kurs”, sot e e vuri theksin tek fleksibiliteti. “Misioni ynë është të ndihmojmë qeverinë e zgjedhur të Irakut të fitojë ndaj armiqve të përbashkët që kemi, për të sjellë paqe e stabilitet për Irakun. Synimi ynë është i pandryshuar. Ne jemi fleksibël në metodat tona për të arritur këto synime.” Presidenti u pyet, në se zgjedhjet e ardhme për në Kongres do të kthehen në një referendum për Irakun. Ai u përgjigj duke thënë se ato do të jenë një referendum se cila parti mund të sjellë përparim ekonomik dhe ta mbajë popullin amerikan të sigurtë, duke vënë në dukje se suksesi në Irak është kritik për sigurinë kombëtare të Amerikës.

XS
SM
MD
LG