Lidhje

SHBA: Demokratët thonë se politika në Irak nuk është e organizuar


Megjithëse presidenti Bush e ka braktisur frazën “të mos ndryshojmë kursin” për të përshkruar politikën amerikane në Irak, duke theksuar tani fleksibilitetin në përpjekjet për të krijuar një Irak të qëndrueshëm, demokratët e opozitës në Kongres thonë se asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e administratës.

Senatori Karl Lëvin nga shteti Miçigan, demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, bëri këto komente për gazetarët.

“Shtëpia e Bardhë mund të jetë duke ndryshuar retorikën e saj rreth shprehjes “të mos ndryshojmë kursin” duke thënë se nuk do ta përdorë më këtë shprehje. Ata kanë hequr dorë nga retorika, por politikat janë të njëjta, të njëjtat politika të dështuara për të mos ndryshuar kursin u përsëritën sot nga presidenti Bush.”

Në një deklaratë me shkrim, udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Heri Riid nga shteti Nevada tha se politika e administratës së presidentit Bush, ashtu si edhe vetë Iraku, siç u shpreh senatori Riid, nuk është e organizuar. Ai tha se po bëhet gjithnjë e më e qartë se presidenti nuk di si ta ndalë dhunën.

Demokratët në Senat i bënë këto komente në përgjigje të një konference shtypi që presidenti mbajti dje, kur ai theksoi vendosmërinë e tij për të parë që përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në Irak të kenë një përfundim të sukseshëm.

Presidenti tha se nuk ka durim të pa kufi me qeverinë irakiane të kryeministrit Nuri al-Maliki, megjithatë ai theksoi rëndësinë e përcaktimit të objektivave dhe përpjekjeve për t’i realizuar ato.

Por senatori Lëvin tha se përcaktimi i objektivave pa i bërë presion qeverisë irakiane që t’i përmbushë ato nuk do të rezultojë në sukses.

“Që të thuash se do të përcaktohen disa afate kohorë pa u bërë irakianëve presion të vërtetë për t’i përmbushur këto afate është vazhdim i politikave të njëjta për të mos ndryshuar kursin, që ne kemi parë nga kjo administratë gjatë 3 vjetëve të kaluara.”

Megjithëse zoti Bush kundërshtoi idenë e përcaktimit të afateve kohorë për tërheqjen e trupave amerikane, senatori Lëvin tha se caktimi i një date për fillimin e tërheqjes së trupave do të ishte e vetmja mënyrë për t’i bërë presion qeverisë irakiane që të bëjë kompromiset e domosdoshme politike, të nevojshme për krijimin e një Iraku të qëndrueshëm.

Gjatë një fjalimi që mbajti në Uashington, senatorja republikane, Elizabeth Dole nga shteti i Karolinës së Veriut dhe kryetare e komisionit të ngritur për të ndihmuiar republikanët të fitojnë vende në Senat në zgjedhjet e 7 nëntorit, përsëriti kundërshtimin e saj për caktimin e afateve kohorë për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.

“Është jetësore që ta përfundojmë këtë mision për sigurimin tokë kombëtar dhe për qëndrueshmërinë në të ardhmen të Lindjes së Mesme dhe të gjithë botës.”

Anketat e opinionit publik tregojnë se shumica e amerikanëve nuk e mbështesin mënyrën se si kanë shkuar gjërat në Irak. Demokratët shpresojnë që ndjenjat e votuesve lidhur me Irakun do të shndërohen në humbje për republikanët në zgjedhjet e 7 nëntorit, ndoshta duke rezultuar në marrjen nën kontroll e tyre të të dyja dhomave të kongresit, Dhomës së Përfaqësusve dhe Senatit. //ze//

XS
SM
MD
LG