Lidhje

Presidenti Bush nënshkruan ndërtimin e gardhit kufitar me Meksikën


Bush thotë se imigracioni i paligjshëm po shtohet në Shtetet e Bashkuara, sepse qeveria nuk ka qenë në kontroll të plotë të kufirit jugor prej dekadash. “Kemi përgjegjësi t’u japim përgjigje këtyre sfidave. Kemi përgjegjësi të zbatojmë ligjin, të sigurojmë kufijtë dhe ne e marrim seriozisht këtë përgjegjësi”.

Zoti Bush thotë se ligji që ai nënshkroi, do të ndihmojë në përmbushjen e kësaj përgjejgësie duke shtuar numrin e agjentëve të kufirit, duke krijuar barriera patrulluese dhe duke rritur numrin e shtretërve në burgjet për imigrantët e paligjshëm.

Por, gardhi i ri, pjesa qendrore e Aktit për Sigurimin e Kufijve, mund të mos ndërtohet kurrë, meqenëse vetëm një pjesë e fondeve të domodoshme për të është miratuar. Vlerësohet se i gjithë gardhi prej 1 mijë kilometrash mund të shkojë nga 6 në 8 miliardë dollarë. Kongresi ka miratuar deri tani vetëm 1 miliardë dollarë për një gardh që do të bllokonte gati një të tretën e kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Megjithatë, thotë Presidenti Bush, shtimi i ndriçimit, kamerat e teknologjisë së lartë dhe mjetet ajrore pa pilot, të autorizuara nga ligji, do të ndihmojnë për të siguruar më tej kufijtë. “Po e modernizojmë kufirin jugor dhe mund t’i garantojmë amerikanët se po e bëjmë punën tonë për sigurimin e kufirit. Duke përdorur me mençuri barrierat fizike dhe duke shfrytëzuar teknologjinë e shekullit të 21-të, po ndihmojmë patrullat kufitare për të bërë punën e tyre”.

Planet për gardhin e ri kanë shtuar tensionet lidhur me kufirin me presidentin meksikan Vicente Fox, i cili e ka quajtur atë të turpshëm dhe e ka krahasuar me Murin e Berlinit.

Shumica e anëtarëve të Partisë Republikane të Presidentit Bush nga shtete përgjatë kufirit jugor kanë mbështetur me forcë ndërtimin e gardhit si një çështje të sigurimit kombëtar. Por shumë prej tyre janë kundër programit të propozuar nga presidenti për punonjës të huaj, që do t’u krijonte imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të punojnë me dokumenta për një periudhë të përcaktuar.

Ndërsa Partia Republikane bllokoi planin në kongres, Presidenti Bush thotë se synon të përpiqet më tej për programin e punonjësve sezonalë pas zgjedhjeve të muajit të ardhshëm. Zoti Bush thotë se nuk ka kuptim të deportohen më shumë se 12 milionë imigrantë të paligjshëm. “Për ta nuk duhet të krijohet një rrugë automatike drejt marrjes së shtetësisë. Kjo është amnisti. Unë jam kundër amnistisë, por ekziston një e mesme ndërmjet dhënies automatike të shtetësisë për çdo imigrant të paligjshëm dhe një programi për deportim masiv”.

Çështja e imigrimit është tepër e ndjeshme në disa prej garave, ku demokratë të opozitës shpresojnë të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Një sondash i rrjetit televiziv CNN del në përfundimin se dy të tretat e amerikanëve nuk janë dakord me mënyrën se si Presienti Bush po e trajton çështjen e imigracionit. Shumica e amerikanëve janë për ndërtimin e gardheve të reja.

XS
SM
MD
LG