Lidhje

Çeku: Referendumi për kushtetutën e re të Serbisë nuk do të ndikojë rrugën e Kosovës drejt pavarësisë


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha sot se referendumi për kushtetutën e re të Serbisë, e cila e quan Kosovën pjesë të pandarë të saj, është një manipulim me serbët. Zoti Çeku, i cili i bëri këto komente në zonën e Hasit në komunën e Gjakovës, gjatë një vizite atje, tha se serbët janë të manipuluar nga Beogradi, nga ata që kurrë nuk kanë qenë në Kosovë dhe kurrë nuk do të jenë në Kosovë.

“Ky referendum nuk do të prodhojë asnjë efekt në rrugën tonë drejt pavarësisë”, tha kryeministri Çeku duke u bërë thirrje serbëve që të përfshihen në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe të heqin dorë nga manipulimet e Beogradit dhe nxitja që të marrin pjesë nëpër “referendume të pavlera”, siç u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës theksoi se i vetmi proces legjitim është ai i zyrtarizimit të pavarësisë së Kosovës dhe ky proces, siç nënvizoi ai, nuk është kërcënim për serbët.

Zoti Çeku ka theksuar se tani pavarësia e Kosovës është realitet dhe e drejtë legjitime, e cila është përcaktuar në vitin 1999. Tani jemi në kohën e procesit të zyrtarizimit të pavarësisë, jemi në kilometrat e fundit të rrugës drejt pavarësisë së Kosovës dhe për këtë duhet të jemi krenarë të gjithë”, ka theksuar zoti Çeku, duke shtuar se dëshiron pavarësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të gjithë ata që e ndjejnë Kosovën vend të tyre.

“Ne jemi fitues dhe duhet të sillemi si fitues, zemërgjerë dhe bujarë dhe se do t’i pranojmë të gjithë ata që dëshirojnë ta ndërtojnë Kosovën bashkë me shumicën," ka theksuar kryeministri i Kosovës.

Serbët e Kosovës votuan sot në referendumin dy-ditësh të shpallur nga Beogradi për kushtetutën e re të Serbisë, e cila e quan Kosovën si pjesë të pandarë të saj. Serbët e Kosovës e kundërshtojnë pavarësinë e vendit, duke kërkuar që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë.

Prishtina thotë se ky referendum dhe kushtetuta e re serbe nuk do të kenë asnjë ndikim në zgjidhjen e statusit të Kosovës ndërsa administrata ndërkombëtare ka thënë se nuk e mbështet por as nuk e pengon mbajtjen e këtij referendumi në Kosovë, për kushtetutën e re të Serbisë.

Hidhet në erë makina e një këshilltari të ministrit Petkoviç

Zyrtarë të ministrisë për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, thanë sot se makina e një këshilltari të ministrit Sllavisha Petkoviç, është hedhur në erë sot në orët e para të mëngjesit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Zyrtarët thanë se makina e Miomir Dashic, këshilltar i ministrit Petkoviç, nga Mitrovica veriore, i cili është gjithashtu trajner i klubit të basketbollit “Bambi”, është hedhur ne erë pasi këshilltari dhe anëtarë të ekipit të basketbollit janë kërcënuar nga disa serbë te pjesës veriore, për të lënë Ligën Basketbolliste të Kosovës, në të cilën ata marrin pjesë.

Klubi i basketbollit “Bambi” ka hyrë këtë vit në super ligën e Kosovës në basketball dhe vetë zoti Dashic, është zgjedhur nënkryetar i federatës së basketbollit të Kosovës.

Ministria për kthim dhe komunitete e ka dënuar ashpër ketë “akt terrorist”, siç e ka quajtur ajo, duke përkujtuar se akte të tilla terroriste ndaj zyrtarëve dhe zyrave të kësaj ministrie në veri të Kosovës kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Ministria kërkoi nga organet e rendit, si ato ndërkombëtare edhe ato vendore që të gjejnë autorët e këtij akti terrorist dhe t’i xjerrin para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar. //ze//

XS
SM
MD
LG