Lidhje

Presidenti Bush the opozita demokrate po shfrytëzojnë gjendjen në Irak në kuadrin e zgjedhjeve


Presidenti Bush dhe kundërshtarët e tij politikë e kanë shfrytëzuar gjendjen në Irak për të siguruar avantazh në zgjedhjet e 7 nëntorit.

Presidenti Bush e siguroi partinë e tij republikane në shtetin e Indianës dje se ai ka një plan për të arritur fitoren. Zoti Bush tha se plani i tij ka të bëjë me përmirësimin e gjendjes së sigurisë, atmosferës politike dhe ekonomisë së vendit.

Ndërkaq, demokratët e opozitës u kanë bërë thirrje votuesve t’i japin kontrollin e Kongresit partisë së tyre, duke thënë se ata do të gjejnë rrugën e vërtetë për të shënuar përparim në Irak

Kandidati i Virginias, demokrati Jim Webb, i cili mbajti fjalimin javor në radio në emër të partisë së tij, tha se vendimet e Presidentit Bush në Irak kanë dëmtuar luftën kundër terrorizmit. Jim Webb tha se nëse demokratët marrin nën kontroll të dy dhomat e Kongresit në zgjedhjet e 7 nëntorit, ata do të punojnë me republikanët për ndryshimin e politikës për Irakun.

Politika e jashtme dhe zgjedhjet e 7 nëntorit për në Kongres

Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Tip O’Neil, pat thënë dikur shprehjen e famshme se “gjithë politika është lokale”, duke nënkuptuar se qytetarët janë më të ndjeshëm dhe kanë prirje të votojnë për çështje që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre.

Kjo prirje ka qenë vendimtare gjatë një sërë zgjedhjesh të fundit, veçanërisht në zgjedhjet për në kongres që bien në mes të një mandati presidencial. Por sivjet prirja është e ndryshme dhe mendohet gjerësisht se votuesit amerikanë janë tepër të shqetësuar mbi politikën e jashtme.

Profesori i universitetit të Ohios, John Muller, thotë se dy çështjet kryesore të politikës së jashtme që kërcënojnë të lënë në hije të gjithçka tjetër, janë lufta në Irak dhe ajo globale kundër terrorizmit.

“Në thelb, po zhvillohen dy luftra; njëra është si Lufta e Dytë Botërore dhe quhet ‘lufta kundër terrorizmit’ dhe mbështetja për të nuk ka të ngjarë të bjerë, meqenëse duket se është sulm i drejtpërdrejtë kundër Shteteve të Bashkuara, kurse lufta e Irakut është më shumë si lufta e Vietnamit apo e Koresë, dhe ndërsa kostoja e saj shtohet, pritet që mbështetja për të të bjerë”.

Partia Demokrate ka kritikuar vazhdimisht administratën Bush për luftën në Irak dhe demokratë me peshë kanë bërë thirrje që zgjedhjet e ardhshme të jenë një referendum mbi luftën. Në të njëjtën kohë, senatori John Kerry, kandidati presidencial i Partisë Demokrate në 2004-ën, tha kohët e fundit për rrjetin televiziv Fox News se lufta në Irak po shkakton efekte negative të mëdha në aspekte të tjera të politikës së jashtme amerikane.

“Lufta në Irak ka pakësuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara të zgjidhin krizën e Iranit apo të koresë së Veriut. Një nga arësyet se përse Koreja e Veriut shkel ligjin ndërkombëtar është se Amerika e ka humbur autoritetin, besueshmërinë dhe nuk e gëzon aftësinë qëtë bashkojë vendet si më parë”.

Sondazhet tregojnë se amerikanët janë gjithnjë e më të shqetësuar për imazhin negativ të Shteteve të Bashkuara në botë. Një anketë e zhvilluar muajin e kaluar tregon se shumica e amerikanëve nuk janë dakord me drejtimin e tanishëm të Shteteve të Bashkuara.

Për administratën Bush çështja kryesore e politikës së jashtme është lufta në Irak. Presidenti Bush e ka justifikuar luftën duke thënë se fitorja e saj është themelore për sigurimin e Shteteve të Bashkuara.

“Objektivat janë të vështira dhe nuk mund të jenë më të vështira se kaq. Po qe se e braktisim Irakun para se irakianët të jenë në gjendje të mbrojnë demokracinë e tyre të re, terroristët mund ta vënë vendin nën kontroll dhe të krijojnë një strehë të re prej nga do të sulmojnë përsëri Amerikën”.

Megjithatë pakënaqësia e publikut për luftën në Irak pritet të favorizojë demokratët në zgjedhjet për në kongres.

Kur guvernatori Bill Clinton kandidoi me sukses për president në vitin 1992, fushata e tij u përqendrua në çështjet e brendshme ekonomike. Sivjet, me gjithë provat e dukshme të përmirësimit të ekonomisë në vend, shumë votues amerikanë po marrin gjithatshu në konsideratë ngjarje mijëra kilometra larg nga shtëpia e tyre. //ze//

XS
SM
MD
LG